Lajme Shqip Thursday, 06 October 2011 14:35

Mitrovicë – Ashtu sikurse pati raportuar ekskluzivisht, më 24 shtator, Portali LajmeShqip.com, edhe Policia e Kosovës ka konfirmuar, të enjten, se fati i kamionëve të Euro-Kopit të Serbisë është në duar të policisë evropiane të Interpoolit, nga e cila po pritet raporti. Lajmin ekskluziv mund ta lexoni këtu.

Policia e Kosovës ia ka dorëzuar kërkesën Interpolit për verifikimin e mëtutjeshëm të dokumentacionit të komionëve dhe është në pritje të rezultateve, ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

Sipas tij, janë duke vazhduar ende hetimet në lidhje me rastin e kamionëve të kompanisë Euro-Kop, nga Rashka e Serbisë, të cilët për shkak të hyrjes ilegale në territorin e Kosovës, janë ndaluar më 21 shtator.

Kamionët janë duke u mbajtuar nën përkujdesje në terminalin doganor në jug të Mitrovicës. Ndërsa, hetimet janë në proces, sa i përket xehes që ndodhet në kamionë, nuk ka asnjë problem në lidhje me dokumentacionin e tyre, ka thënë Hoti.

Por, pa marrë parasysh, vendimi që do të merret në lidhje me rastin e kamionëve, xehja duhet t’i kthehet kompanisë Trepça.

“Xehja duhet të kthehet andej prej kah ka ardhur. Kemi pasur një kërkesë nga kompania Trepça, nga Zveçani, për përcjellje të xehes, andaj kësaj kompanie edhe do t’i kthehet ajo”, ka thënë Hoti. (LajmeShqip.com)