Lajme Shqip Friday, 11 November 2011 11:00

Dy fëmijët e kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha dhe Argita Malltezi kanë paditur deputetin Sajmir Tahiri në Gjykatën e Tiranës duke kërkuar dëmshpërblim prej tij.

Burime të gjykatës pohuan dje se secili nga fëmijët e kryeministrit Berisha kërkon katër milionë lekë të reja nga deputeti socialist. Në total Shkëlzen Berisha dhe Argita Malltezi kërkojnë tetë milionë lekë të reja nga deputeti.

“Çështja mban numrin 15724 dhe është regjistruar më datë tetë nëntor. Paditësit janë Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha, i padituri, Sajmir Tahiri”-, thanë dje burimet zyrtare të Gjykatës së rrethit Tiranë. Sipas tyre, padia nuk është dorëzuar nga vetë fëmijët e kryeministrit Berisha, por nga përfaqësuesit e tyre ligjorë.

Padia në fjalë është administruar nga gjykata dhe është hedhur shorti elektronik, i cili ka zgjedhur gjyqtarin Ilir Çeliku për të shqyrtuar çështjen.

“Paditësit kërkojnë detyrimin e të paditurit Saimir Tahiri ti shpërblejë paditëses Argita Malltezi dëmin pasuror dhe jopasuror në shumën 4 000 000 lekë.

Detyrimin e të paditurit Saimir Tahiri ti shpërblejë paditësit Shkëlzen Berisha dëmin pasuror dhe jopasuror në shumën 4 000 000 lekë. Këto janë informacionet e vetme që mund t’ju japim”,- thanë burimet zyrtare të Gjykatës së Tiranës.