Lajme Shqip Sunday, 05 August 2012 16:41

Mitrovicë – Dhjetë kamionë të rëndë janë parkuar në zonën neutrale në anën e Serbisë para kalimit kufitar me Kosovën, në Jarinje, bëjnë të ditur mediat lokale serbe në Mitrovicë. Ata janë parkuar në njërën korsi në rrugën magjistrale Rashkë-Leposaviq, ku serbët natë dhe ditë kujdesen nën një tendë.

Serbët edhe më tutje mbajnë të bllokuar magjistralen Rashkë-Leposaviq në vendkalimin kufitar në Jarinje, duke mos i lejuar kamionët që të kalojnë nëpër këtë rrugë. Në këtë rrugë rajonale, serbët kujdesen edhe në Leposaviq, por atje rruga nuk është bllokuar, veçse atje qëndrojnë për të penguar që në veri rrugës tokësore të mos shkojnë doganierët kosovarë.

Në zonën neturale në mes të Serbisë dhe të Kosovës serbët kanë vendosur një bllokadë për automjetet e rënda, në fund të muajit të kaluar, të pakënaqur me lëvizjen e automjeteve me mallra komerciale.

Kryetari i Leposaviqit, Dragisha Vasiq, ka sqaruar se herët në mëngjes, qytetarët kanë vendosur që në këtë mënyrë ta kundërshtojnë Prishtinën që ta integrojë veriun e Kosovës dhe në këtë mënyrë ta rrumbullakësojë pavarësinë vet.

Në anën tjetër ndërkaq, KFOR-i akoma mban të bllokuar rrugët alternative për automjete të rënda. Në një komunikatë, KFOR-i ka ftuar përgjegjësit që të ndikojnë për të penguar bllokadën ilegale për mallra komerciale në veri të Jarinjës në pjesën e Serbisë.

Në atë pjesë, siç kanë bërë të ditur mediet lokale serbe në Mitrovicë nuk është parë xhandarmeria serbe, e cila deri para pak kohësh ka qëndruar ato me disa vetura në afërsi të pikës kufitare.

Merret vesh gjithashtu se kontrollin në pikën kufitare në Jarinje e bëjnë pjesëtarët e EULEX-it, ndërsa në vendkalim ndodhen pjesëtarët e KFOR-it turk. (LajmeShqip.com)