Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 14:27

Prishtinë – Sot Pieter Feithit i pushon mandati i përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në Kosovë.

Mediat në Holandë, vendi prej nga vjen Feith, e kanë kritikuar Brukselin për këtë përfundim mandati të tij pa e gjetur zëvendësimin, duke e cilësuar si “politikë e dobët dhe jo efikase” e përfaqësuesed së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton.
Sipas mediave holandeze, largimi i Feithit pa e lënë zëvendësin e tij është një tjetër dështim i diplomacisë së Brukselit në Kosovë veçmas në një kohë kur roli i SHBA-ve sa vjen e bëhet më i fuqishëm.

Zëdhënësja e Ashton, Maja Kocijanciq ka bërë të ditur se konsultimet për zëvendësin e tij po vazhdojnë . Praktikisht BE-ja nuk ka përfaqësues të posaçëm të saj nga sot, ndërsa Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO), ku bën pjesë edhe SHBA do të mbetet ende aktive.

Megjithatë Feith, do të vazhdojë ta ushtrojë detyrën e shefit të ICO-së në Kosovë. Holandezi 66-vjeçar e mori detyrën në nëntor të vitit 2009. Ai njihej si “njeriu me dy kapela”.