Lajme Shqip Friday, 10 February 2012 19:00

Sarandë – Drejtoria e spitalit “Petro Nako” e Sarandës ka pezulluar sot nga puna mjekun reumatolog Jani Qirjaqi, i ndaluar dy ditë më parë nga policia lokale për mitmarrje.

Arben Vogli, drejtori i spitalit të Sarandës, pohoi se vendimi i pezullimit është marrë pas mbledhjes së drejtorisë së spitalit dhe se në të përcaktohet qartë se vlera e këtij vendimi është deri sa për kauzën e ngritur ndaj tij të jepet vendimi i formës së prerë nga sistemi i drejtësisë.

“Pezullimi është marrë, pavarësisht se akuza e ngritur ndaj tij nuk lidhet me funksionin e reumatologut në këtë spital, por me atë të kryetarit të KEMP, që funksionon pranë degës së sigurimeve shoqërore në Sarandë”, shprehet Vogli.

Vogli specifikoi se në mënyrë institucionale i është drejtuar komunitetit për të denoncuar çdo rast të përballjes me dukuri korruptive apo me kushtëzimin e dhënies së shërbimit mjekësor me shuma monetare nga ana e bluzave të bardha.

“Në të vërtetë na ndodh që nuk vjinë njerëz për të denoncuar, por mbeten në kuadrin e fjalëve dhe thashethemeve. Tashmë ka ardhur koha që sistemi mjekësor të ndryshoj modelin e punës. Mjekët të mos kthehen në sekser, por të respektojnë profesionin e tyre fisnik”, përfundoi Vogli.