Lajme Shqip Saturday, 26 March 2011 13:49

Prishtinë – Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq, ka thënë se në një të ardhme të afërt do të gjenden zgjidhje të mira për Mitrovicën veriore, pasi në këtë drejtim janë duke u bërë përpjekje për zbatimin e procesit të decentralizimit dhe formimit të komunës së re të veriut.

Ai ka prezantuar punën njëmujore si ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ministri Petroviq ka thënë se qytetarët serbë që jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës ende vazhdojnë të manipulohen nga Beogradi, pasi sipas tij ende shfrytëzojnë disa mjete nga Serbia.

“Qëllimi i decentralizimit është përmirësimi i jetës së qytetarëve që jetojnë në atë pjesë. Kam përvojë sa i përket decentralizimit në jug. Po ashtu, ka qenë një sfidë e madhe edhe formimi i komunave të reja si ajo e Ranillugut, Parteshit, etj. Kjo do të thotë se edhe atëherë ka pasur rezistencë dhe probleme dhe kemi punuar për kualitet, prandaj ato janë më të qëndrueshme, për mua nuk do të jetë e rëndësishme a do të formohet komuna e re një muaj më herët, apo më vonë. Sa i përket ministrisë sonë, ne do të implementojmë 100 për qind këtë projekt”, ka thënë Petroviq.

Për më tepër ai ka theksuar se në pjesën veriore të Mitrovicës janë zhvilluar kampanja të këqija sa i përket decentralizimit dhe se një pjesë e qytetarëve atje nuk e dinë se çka do të thotë ky proces.