Lajme Shqip Tuesday, 23 August 2011 15:27

Prishtinë – “Në këtë moment është e rëndësishme që situata e krijuar në ditët dhe javët e fundit në veri të normalizohet tërësisht dhe të gjithë qytetarëve t’u garantohet paqe dhe siguri dhe jam i bindur se rifillimi i dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, në fillim të shtatorit në Bruksel, do të shkojë në këtë drejtim”, ka thënë në një intervistë për “Pravda”, Sllobodan Petroviç, zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës.

“Detyra ime si anëtar i Qeverisë së Kosovës, është për të punuar në interes të çdo qytetari, duke përfshirë, natyrisht, qytetarët në veri të Kosovës. Unë besoj thellësisht se nuk do të vijë puna deri te asnjë lloj katastrofe humanitare në veriun e Kosovës. Një nga problemet është shpërndarja e ushqimit dhe ne do të punojmë për të zgjidhur të gjitha problemet. Unë sinqerisht shpresoj se rifillimi i bisedimeve në Bruksel do të zgjidhë shumë gjëra kur është fjala për problemet e jetesës së popullsisë në Kosovë”, është shprehur Petroviç, i cili është përfaqësues i komunitetit serb në qeverinë e Kosovës.

Në përgjigje të pyetjes nëse Serbia duhet të pranojë vulën doganore të “shtetit të Kosovës”, Petroviç është shprehur se “në bisedimet që janë zhvilluar deri tani, vula ishte një nga temat dhe aty nuk shoh asgjë të diskutueshme. Unë dua të besoj se në të dy anët ka njerëz të përgjegjshëm dhe seriozë, të cilët do të kuptojnë rëndësinë e normalizimit të jetës në Kosovë, dhe se ajo është më e rëndësishme në gjithë procesin e negociatave”.

Sipas tij, individët nuk duhet kurrsesi të bëjnë deklarata bombastike për përdorim të brendshëm, por të angazhojnë ndikimin dhe autoritetin e tyre për të ndihmuar njerëzit në terren. “Unë shpresoj se Prishtina dhe Beogradi kanë mjaft njerëz të cilët dinë të pranojnë realitetin”, ka thënë Petroviç.