Lajme Shqip Tuesday, 11 August 2015 08:06

I nënshkruar në muajin korrik të vitit të kaluar, peticioni “Kërkojmë drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë”, nuk ka arritur në adresën për të cilën edhe është dedikuar. Dorëzimi i tij në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) ishte paralajmëruar të bëhej në shtator të vitit të kaluar.

Ndërkohë që për tre muajt e fundit Bordi organizativ i tij, nuk ka mbajtur as një takim. Ka kaluar më shumë se një vit që kur 115 mijë e 759 qytetarë të Kosovës kanë hedhur nënshkrimet e tyre në këtë peticion, por ato nuk kanë shkuar në adresën e tyre, shkruan “Koha Ditore”.

Fillimisht ishte thënë se peticioni do të dorëzohej në OKB në muajin shtator të 2014, mirëpo një gjë e tillë nuk është bërë. Këtë vonesë e pati arsyetuar kryesuesja e Bordit organizativ për nënshkrim të peticionit, Edita Tahiri.

Ajo pati thënë se caktimi i datës për dorëzim të peticionin nuk ishte në dorën e tyre, duke theksuar se dorëzimi do të bëhet në fund të tetorit ose në fillimin e nëntorit të vitit të kaluar.