Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 15:34

Prishtinë – Ish-shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ka thënë se ndërkombëtarët e humbën rastin për integrimin e veriut menjëherë pas mbarimit të luftës në Kosovë.

“Mendoj se e humbëm rastin në periudhën e hershme pas luftës, flas në vitet 1999 -2000. Në këtë periudhë ka pasur prani masive civile dhe ushtarake ndërkombëtare. Kjo ka qenë koha kur bashkësia ndërkombëtare duhet të kishte vepruar me më shumë vendosmëri dhe të siguronte që nuk do të kishte përpjekje të suksesshme për të shkëputur veriun nga Kosova”, ka thënë ai.

Sipas tij, ndërkombëtarët e humbën rastin menjëherë pas mbarimit të luftës për të adresuar problemin e veriut. “Katër-pesë vjet më vonë, me fillimin e bisedimeve për statusin, kjo ka qenë e pamundur, pasi në këndvështrimin e Beogradit, kjo do të ishte një pjesë shumë e rëndësishme e bisedimeve”.

Por, ka thënë Petersen, veriu është pjesë e Kosovës. Strukturat ndërkombëtare e kanë bërë të qartë para, gjatë dhe pas bisedimeve për statusin se nuk ka ndarje të Kosovës. “Le të jemi të qartë në këtë pikë, për çfarë kemi pasur dhe deklarata të përsëritura e kategorike.

Soren Jessen Petersen ka folur edhe për akuzat e raportit të Dick Martyt dhe për to ka thënë: “Nuk e kam lexuar raportin e Martyt. Por, e di që institucionet evropiane kanë kërkuar hetime të mëtejshme dhe besoj se kjo duhet të mirëpritet edhe nga udhëheqësit e Kosovës. Duhet të jepen provat nëse ato ekzistojnë”.

“Sa i përket kryeprokurores, nuk është sekret raporti me të. Në atë kohë isha i befasuar – thënë më së buti – me disa nga deklaratat e saj. Mendoj se disa nga deklaratat e Del Pontes i kalonin kufijtë e pozicionit që mbante. Kaq mund të them, isha shumë i befasuar me pohimet e saj”, citohet të ketë thënë Petersen.

Në intervistë, Jessen Petersen ka folur edhe për luftën kundër korrupsionit duke thënë se ajo është sfida më e madhe për Kosovën.