Lajme Shqip Wednesday, 28 August 2013 16:18

Prishtinë – Kandidati i vetëm për postin e Myftiut të Kosovës, Naim Tërnava, i cili deri vonë kishte për kundërkandidat tashmë të shkarkuarin nga posti i Kryetarit të Kuvendit të Bashkësisë Islame, Xhabir Hamiti, ditë më parë ka marrë pjesë në përurimin e një xhamie në fshatin Makovc, Komuna e Prishtinës.

Tërnava ishte në mesin e Kryeimamit të Këshillit të Prishtinës, Burhan Hashani, kryetarit të Lëvizjes Islamike “Bashkohu” (LISBA), Arsim Krasniqi, Imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, Kryetarit të BIK-ut në Gjilan, Sylejman Osmani e figurave tjera të larta fetare, nga Kosova e më gjerë.

Ndërkaq, ka qenë pikërisht kjo xhami që është përfolur të jetë një prej qendrave të rekrutimit të qytetarëve shqiptarë për të luftuar në anën e kryengritësve në Siri.

Sipas një raporti të organeve të sigurisë së Kosovës, të siguruar nga Klan Kosova, thuhet se kjo xhami është ndërtuar nga salafi, dhe frekuentohet nga persona të cilët mund të jenë rekrutë të ardhshëm në luftën e Sirisë.

Këtë gjë e pati mohuar Arsim Krasniqi, kryetar i Lëvizjes Bashkohu, i cili edhe e ka dhënë tokën për ndërtimin e xhamisë në Makofc.

Raporti tregon se shqiptarët shkojnë në Siri në grupe të vogla, ndërsa, sipas tij, janë dy pika ku bëhet grumbullimi i atyre që shkojnë tu ndihmojnë ‘vëllezërve’ sirianë – njëra në Prishtinë dhe tjetra në Mitrovicë.

Ndërkaq, Osman Musliu nga Sindikata e Bashkësisë Islame të Kosovës, tha për “Zërin” se për këtë çështje nuk është i interesuar të flas.

“Le të marrin pjesë jo vetëm në një xhami, por edhe në dhjetë xhami tjera”, ka thënë Osmani.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, i pyetur nga “Zëri” për pjesëmarrjen e Myftiut Tërnava në përurimin e xhamisë së dyshimtë në Makovc, tha se kjo vizitë është thikë me dy teha.

“Në njërën anë, ai tenton që para opinionit të paraqitet se kinse unë jam që t’i fus nën juridiksionin e BIK-ut të gjitha rrymat fetare dhe në anën tjetër, kryetari i BIK-ut Naim Tërnava, është duke e thelluar bashkëpunimin me grupe të caktuara ideologjike të cilat në një mënyrë e kanë në dorë Naim Tërnaven dhe në çdo kohë munden ta shantazhojnë”, ka thënë Islami./Zëri/