Lajme Shqip Monday, 26 November 2012 22:14

Tiranë -Shtatorja e Ismail Qemalit, vepër e skulptorit Odhise Paskali që prej shumë vitesh gjendej në Muzeun Historik Kombëtar, është vendosur në lulishten e Bulevardit Dëshmorët e Kombit. Kjo është hera e parë që një statujë e arkitetktit të pavarësisë vendoset në rrugët e kryeqytetit.

Të pranishëm për rastin ishin kryeministri Berisha, ministra të kabinetit, kryetarë të komunave nga të gjitha trevat shqipfolëse, kryebashkiaku Basha dhe pasardhës të familjes Vlora. “Jam këtu dhe do t’i them Ismail Qemal Vlorës, 27 ditë t’u deshën të kaloje 7 shtete, fusha e male të egra, për të ardhur në vendin tënd. Një shekull t’u desh ty për të dalë në shesh për të të nderuar. Në këtë 100-vjetor duhet të përpiqemi ta lexojmë historinë tonë dhe ta mësojmë”, deklaroi Berisha.

Menjëherë më pas në sheshin Shqiponja është inauguruar monumenti i simbolit të kombit: Shqiponja Dykrenare. Vepra është 10 metra e lartë bashkë me bazamentin, ndërsa vetë shqiponja 6 metra e lartë dhe 6 e gjerë, e gjitha prej çeliku, realizuar nga Albi Çifligu.

 

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama denoncoi në profilin e tij në rrjetin social Twitter, gafën me emrin e Ismail Qemalit në shtatoren e vendosur në nder të tij ditën e hënë në Tiranë.

“Shikojeni si ia kanë shkruar vulgarët emrin Ismail Qemalit në shtatoren e përuruar sot. Për faqen e zezë!”, shkruan Rama duke e shoqëruar postimin e tij me një foto të shkrepur nga shtatorja ku emrit të “babait të shpalljes së Pavarësisë”, i mungon shkronja fundore “l”.(LajmeShqip.com)