Lajme Shqip Tuesday, 21 February 2012 15:10

Tiranë- Me pushimin e reshjeve të dëborës si dhe punën e pandërprerë të strukturave të Emergjencës Civile është përmirësuar ndjeshëm situata në vend.

Sipas informacionit të shpërndarë nga Zyra e Emergjencës Civile, numri i komunave që janë të bllokuara nga dëbora ka ardhur në rënie. Momentalisht, probleme ka në vetëm 14 komuna, kryesisht në veri të vendit, ku po punohet për lidhjen e tyre me akset rrugore kombëtare.   

Kështu, në Qarkun e Shkodrës vazhdon puna për hapjen e akseve rrugore që lidhin me akset kombëtare qendrat e komunave Shalë, Shosh, Shllak, Pult, Iballë dhe Fierzë. Në Qarkun e Kukësit është punuar dhe vazhdon puna për lidhjen me akset kombëtare të qendrave të komunave Shishtavec, Grykë Çajë, Kalis, Lekbibaj dhe Arrën. Lura, Selishta dhe Zall Reçi, janë tre komunat e Qarkut të Dibrës, ku vijon puna për lidhjen e qendrave të tyre me akset kombëtare.

Puna e kryer gjatë gjithë këtyre ditëve mundësoi ndërkohë lidhjen me akset kombëtare të qendrave të komunave Qelëz, Kelmend, Poroçan, Lenie, Kukur, Zavalinë, Blerim dhe Bytyç.

Ndërkohë, nuk janë ndërprerë operacionet humanitare, por edhe të ndihmes për banorët e këtyre zonave. Me anë të helikopterëve iu është dhënë ndihmë banorëve për nevojat shëndetësore, ndersa ka vazhduar shpërndarja e ndihmës ushqimore dhe e medikamenteve.

E ndërkohë tropojanët kanë dalë nga izolimi që shkaktoi  dëbora e madhe e këtij dimri.  Këtë e ndjejnë jo vetëm  banorët e qytetit të Bajram Currit, por edhe ata të fshatrave të këtij rrethi, të cilët kanë nisur të lëvizin në drejtim të tregut të qytetit dhe të furnizohen me mallrat ë konsumit të përditshëm.

“Situata është drejt përmirësimit pas ngrohjes së motit, por edhe e punës së bërë deri tani për rihapjen e akseve rrugore”,- thotë kryetari I bashkisë së Bajram Currit, Agron Demnushi që shton se ende është e izoluar  komuna  e Lekbibajt. 

Ndërsa është përshpejtuar puna për rihapjen e akseve rrugore rurale, që lidhin fshatrat me qendrat e komunave, një proces  më vështirë, vazhdon puna për rihapjen e plotë të aksit rrugor  Bajram Curri-Krumë  ku kanë mbetur edhe pak kilometra rrugë e pahapur në afërsi të qafë  Luzhës.            

Dalja nga izolimi i banorëve të këtij rrethi është ndjerë edhe në rritjen e fluksit të lëvizjes në drejtim të Tiranës, edhe pse lëvizja në këtë aks  rrugor nuk është ndërprerë asnjë ditë. Kjo për faktin se edhe tropojanët drejt Tiranës lëvizin përmes aksit rrugor Bajram Curri-doganë e qafë  Morinës-Gjakovë-Prizren-Morinë-Tiranë.

Burime zyrtare të doganës së qafë Morinës bëjnë të ditur se  “gjatë 24 orëve të fundit kanë lëvizur në të dy  anët e kufirit  85 persona gjithsej, nga  35 – 40 persona që lëviznin  që lëviznin gjatë 24 orëve  gjatë  ditëve të tjera  të këtij muaji”.

Gjithsesi fluksi i lëvizjes është ende i ulët. Kjo edhe për faktin se reshjet e mëdha të dëborës kanë ndalur lëvizjen drejt pikës turistike të Valbonës.Ndërsa akset rrugore rurale vazhdojnë të hapen me shpejtësi, aktualisht po punohet për rihapjen e akseve rrugore rurale Kam – qafë Prushi,  rruga nacionale  – Selimaj  dhe Dushaj Lekbibaj. (LajmeShqip.com)