Lajme Shqip Friday, 15 March 2013 16:04

TIRANË Reshjet e shiut, hapja e portave në HEC-e, por dhe dalja nga shtrati i disa lumenjve kanë shkaktuar një situatë të rënduar në Shkodër, Vlorë, Fier, Elbasan, Durrës e Krujë.

Sot paradite rezultonin rreth 4900 hektarë tokë janë nën ujë në Shkodër kurse situata u përmirësua pas mesditës, ku rezultuan 2 000 ha nën ujë. Nga 315 shtëpi që ishin të izoluara krejtësisht nga uji, numri shkon në 60. Rritja e sipërfaqeve të përmbytura shtoi frikën tek banorët, duke kthyer në vëmendje vitin 2010, ku mbi 11 mijë ha tokë përfunduan nën ujë, e lanë pas dëme të konsiderueshme. Sot raportohet për rreth 120 familje të evakuuara në Shkodër, sipas të dhënave të shtabit të Emergjencave.

Sipas Shtabit të Emergjencave niveli i ujit në Shkodër krahasuar me një natë më parë ka rënë me 40%. 

Në Vlorë, 10 shtëpi janë përmbytur nga dalja e lumit Vjosë, në fshatin Fitore, ndërsa rrezikohen edhe 300 të tjera.

Si pasojë e reshjeve të dendura ka pasur edhe rrëshqitje dherash, duke bllokuar kështu akset rrugore Këlcyrë-Përmet dhe Gramsh-Korçë. Në Gjirokastër është shembur rruga Dunavat në lagjen muzeale, që lidh tre lagje të tjera të qytetit, ndërsa në Bulqizë është shembur një urë që lidh katër fshatrat e një komune.

MINISTRIA E BRENDSHME: JA SITUATA PËR ORËN 18:00
Ora 18:00
Bazuar në informacionet e grumbulluara në Drejtorinë Operacionale të Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile, nga specialistët e Emergjencave Civile në Institucionet e Prefektëve, Stacionet e PMNZSH-së në rrethe, drejtuesit dhe përfaqësuesit e Njësive të Qeverisjes Vendore, si dhe nga pika të tjera kontakti në nivel qendror dhe vendor, situata ka qenë si më poshtë: 

Qarku Shkoder: Situata në rrethin e Shkodrës gjatë ditës së sotme është si më poshtë:
Aktualisht në territorin e rrethit Shkodër sipërfaqja e mbuluar nga uji është reduktuar ndjeshëm dhe mbeten nën ujë rreth 2000 Ha tokë, kryesisht në Bashkinë Shkodër, zona e Bahçallekut dhe Ajasëm, komunat Ana e Malit, Berdicë, Dajç, Guri i Zi, Bushat.
Janë në prezencë të ujit rreth 60 shtëpi ku gradualisht uji po largohet.
Janë evakuar rreth 110 familje të cilat janë akomoduar tek të afërmit e tyre dhe një pjesë në konviktin e Shkollës Industriale.
Niveli i ujrave po vazhdon të bjerë ndjeshëm.
Aksi i rrugës nacionale në harkun e Bërdicës është i krejtëisht i kalueshëm.

Qarku Lezhë:
Reshjet me intesitet të dobët ka ndikur në përmirësimin e situatës, ndërsa niveli i ujrave në lumenjë dhe kolektorë vijon të bjerë.
Siperfaqet e tokave bujqësore me prezencë uji janë:
Në zonen e Zadrimës 200 ha, Komunat Dajç, Blinisht, Balldre, Kallmet;
Në zonen e Bregut të Matës 300ha, Komunat Kolsh, Zejmen, Shenkoll;
Në zonen Fushë Gjormë 100 ha, Bashkia Laç, Mamurras e Kom.

Në zonën Fushë Mamurras, Adriatik 80 ha, Bashkia Mamurras, K. F.Kuqe.
Gjendja e rezervuarëve vijon të mbetet normale.

Për sa i përket pretendimeve se në fshatin Tale, të komunës Shënkoll, Lezhë, është çarë një argjinaturë dhe për pasojë 6 familje kërkojnë të evakohen, informacioni nuk është i saktë. Argjinatura është në gjendje normale, pa asnjë dëmtim.

Qarku Vlorë. 
Në qarkun e Vlorës, situata problematike vijon në Urën e Mifolit, në fshatrat Fitore, Trevllazën, dhe Novoselë të komunës Novoselë.
Aktualisht reshjet kanë pushuar dhe situata është në përmirësim.
Prurjet e lumit Vjosa po pakësohen dhe niveli i ujit tek ura e Mifolit vazhdon të jetë nën 6 m. nga 7 m. që është pika kritike. 4-5 km larg urës së Mifolit në vendin e quaajtur Grykë Pishë, digë mbrojtëse e lumit ka pësuar një çarje dhe për pasojë janë përmbytur reth 130 ha tokë djerrë.
Janë evakuar 30 familje të fshatrave të bregut të lumit Vjosë (fshati Fitore, Novoselë, Zhurë dhe Grykë Pishë), si edhe tre familje që ndodhen pranë urës së Mifolit.

Qarku Fier.
Situata po vjen drejt përmiresimit. Aktualisht, toka bujqësore të përmbytura janë: komuna Hekal 40 ha, komuna Kutë 40 ha, komuna Frakull 40 ha dhe komuna Cakran 25 ha.
Në komunën Levan, situata e rreth 38 familje të fshatrave Ferras dhe Çervez 2, me prezencë uji është drejt përmirësimit, pasi niveli i lumit Vjosë është në rënie të vazhdueshme.
Në lumin Seman, prurjet tek ura e Mbrostarit vazhdojnë të mbeten në kuota maksimale.

Qarku Durrës. Situata në qarkun e Durrësit po vjen drejt normalizimit të plotë. Gjatë ditës së sotme janë evakuar reth 20 familje në fshatin Katund i Ri , komuna Sukth.

Qarku Elbasan. Në qarkun e Elbasanit problem mbetet bllokimi i aksit rrugor Cërik – Banjë – Gramsh, bllokuar si pasojë e prurjeve te materialeve inerte të lumit Devoll.

Qarku Korçë:
Gjatë ditës së sotme në të gjithë territorin e qarkut Korçë ka patur mot me rreshje të dobëta dhe kalimtare shiu dhe bore në lartësi mbi 1000 m. Aktualisht nuk ka rreshje dhe temperaturat janë pozitive.
Qarkullimi rrugor në rrugët nacionale dhe rurale është normal.
Gjatë ditës së sotme janë evidentuar disa nga dëmet e krijuara nga reshjet e dendura të shiut. Bordi i Kullimit Korçë ka konstatuar se në tokat bujqësore të komunave Pirg dhe Libonik, rrethi Korçë, rreth 70 ha tokë është e mbuluar nga uji.

NOVOSELË, ZONAT E PËRMBYTURA MUNGESË ENERGJIE
Ora 18:20
Novoselë, zonat e përmbytura kanë mungesë të energjisë elektrike. Probleme ka edhe në Llogara për shkak të reshjeve të dëborës.

LEZHË, THYHEN ARGJINATURAT NË TALE, 6 FAMILJE KËRKOJNË EVAKUIM
Ora 17:30-Në Lezhë në fshatin Tale uji ka thyer argjinaturën mbrojtëse duke hyrë në zonat e banuara. News24 mëson se 6 familje kërkojnë evakuim të menjëhershëm.
Një banor nga fshati Tale 2 i Lezhës konfirmoi për News24 se deti ka vërshuar në tokë duke shkaktuar carje në argjinaturën mbajtëse. Sipas pasojë, 4 banesa janë nën ujë, ndërsa rrezikohen 50 banesa të fshatit. “Nevojitet evakuim, kemi femije dhe gra ne banesa”.
Kryeplaku, Dashamir Luli tha se po punohet për riparimin e argjinaturës, por uji ndërkaq ka vërshuar në toka e banesa. 

Ndërkohë zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Leonard Olli hodhi poshtë pretendimet e banorëve se argjinatura në Tale 2 është shkatërruar. Sipas Ollit, situata në Tale 2 është nën kontroll.

SHIJAK, HALIMI: GRUP PUNE PËR DËMSHPËRBLIMET E FAMILJEVE
17:15
Minsitri i Drejtësisë Eduard Halimi ka monitoruar sot ssituatën e krijuar nga reshjet e shumta të shiut dhe daljes nga shtrati të lumit Erzen.

Gjatë bashkëbisedimit me banorët e zonës ministry Halimi ka premtuar se sëshpejti do të ngrihet një grup pune për dëmshpërblimet e familjeve.

Banorët i shpjeguan se kjo është hera e tretë që përmbyten, pasi lumi Erzen del nga shtrati sa herë që bie shi duke shkaktuar përmbytje. Halimi ka siguruar banorët se do të kërkojë që të gjendet një zgjidhje përfundimtare për situatën e përmbytjeve.

PËRMIRËSOHET SITUATA NË SHKODËR
Ora 17:00
Përmirësohet situata në Shkodër, pas ndalimit të reshjeve të shiut që prej mëngjesit të sotëm. Tashmë janë vetëm 2000 ha toke nën ujë nga 4900 që u raportuan mëngjesin e sotëm, ndërsa numri i shtëpive të përmbytura është ulur në 115. 

Ulja e shkarkimeve ka bërë të mundur tërheqjen totale të ujërave në Harkun e Bërdicës duke liruar rrugën që të con drejt fshatrave të Komunës Velipojë. Situata problematike paraqitet në fshatin Obot të Komunës Ana e Malit, banorët e këtij fshati janë të izoluar për shkak se është i pakalueshëm aksi rrugor që lidh këtë fshat me Shkodrën, banorët lëvizin vetëm me varka. 

Po ashtu probleme dhe prezencë të ujit në rrugë ka edhe në Komunën Dajc dhe në tokat bujqësore ku niveli i ujit arrin deri në 70 cm. Prezence uji ka edhe në Komunat Bushat dhe Gur i Zi, por pa krijuar probleme në rrugë dhe përmbytje në shtëpi banimi.

SAUK I VJETËR, RREZIKOHET 1 BANESË NGA RRËSHQIETJET E DHEUT
Ora 16:59
Një banesë në lagjen Sauk i Vjetër, Tiranë rrezikohet si pasojë e rrëshqitjeve të dheut. Lajmi konfirmohet nga kryefamiljari Sabri Xhabrahimi, i cili bën apel për ndihmë. 

Ndërkaq, raportohet se në Petrelë rruga është e bllokuar pasi një masiv dheu e ka zënë atë. 

MINISTRIA E SHENDETESISE  GRUP PUNE NË SPITALET E SHKODRËS
Ora 16:49
 Ministria e Shëndetësisë ka marrë masat për përballimin e çdo situate të mundshme shëndetësore në zonat e përmbytura në Shkodër. Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, ka dërguar një grup pune për të monitoruar situatën e krijuar nga përmbytjet në zonën e Shkodrës. Grupi i punës koordinon ndërhyrjet me spitalin e Shkodrës dhe kujdesin parësor shëndetësor. 

Grupi i punës do të verifikojë nevojat dhe mobilizojë strukturat shëndetësore. Tavo tha se “janë marrë masat për përballimin e çdo emergjence shëndetësore në zonë. Sistemi shëndetësor është në gatishmëri”

Në Shkodër situata paraqitet më problematike se në zonat e tjera pasi janë në prezencë të ujit rreth 60 shtëpi, ku gradualisht uji po largohet. Janë evakuar rreth 110 familje. 

FIER RRËSHQITJE TOKE, TEK KTHESA E VLOSOKES
16: 44
Shirat e rëna kanë shkaktuar rrëshqitjen e tokës tek kthesa e Vlosokës në qytetin e fierit. Si pasojë e rrëshqitjes së tokës është bllokuar rroka, ndërkohë raportohet se automjetet kalojnë me vështirësi vetëm në njërin kah të saj.

TOROVICË, MBYTET 32- VJEÇARI, BIE NË KANALIN KULLUES
Ora 15:55
Një 32 vjecar ka gjetur vdekjen si pasojë e përmbysjes së mjetit bujqësor tip “Autokarro”, në Torovicë. Ka qenë ngjarja aksidentale pasi viktima Ndue Qosaj për asrsye të mbulimit të rrugës nga uji, mjeti i tij dalë nga aksi rrugor dhe është përmbyasur në një kanal. Viktima ka qenë duke udhëtuar i vetëm dhe mësohet se po shkonte në tokat bujqësore, përgjatë kënetës së Torovizës.

Dje një 50-vjecar nga fshati Krutje e Lushnjes vdiq nga rrufeja teksa ndodhej në banesën e tij. 

LIBRAZHD, APELI I BËNORËVE: KANALET E ZEZA NË SIPËRFAQE, 4 BANESA TË BLLOKUARA
Ora 15:50
Pas reshjeve të dendura të shiut, të rëna përgjatë 24 orëve të fundit, dalja e përrejve nga shtrati tek stacioni i trenit ka bërë që ujrat e zeza të dalin në sipërfaqe. Banorët kanë apeluar në News24 për ndihmë.

“Jam Mateo nga Librazhdi. Pothuajse është rritur 20 cm para shtëpieve. Kanalet e ujrave të zeza na kanë hyrë në shtëpi. Nuk jemi ndihmë nga askush vjen kryetari dhe nuk jep asnjë mendim. Kanalet e ujërave të zeza nuk janë pastruar. Ne kemi biseduar personalisht me kryetarin e Bashkisë. Ai vjen dhe thotë se nuk kemi mundësi të vijnmë këtu pasi nuk vjen fardoma. Kur nuk i përgjigjet një punëtor cfarë kryetari është ai. 4 banesa nuk kanë mundësi të lëvizin. Shi bie gjendja nuk është e mirë. Është shumë keq”, apeloi Mateo.

Ju cfarë kërkoni?
“Ne kërkojmë të vijë një fardromë të hapë kanalin e ujërave të zeza. Pas vërshimet të përrejve kanë dalë në sipërfaqe”, shtoi Mateo. 

MBLIDHET SHTABI I EMERGJENCËS NË KUKËS
Ora 15:40
 Është mbledhur sot Shtabi i Emergjencave Ciivile edhe në prefekkturën e Kukësit për situatën e krijuar së fundmi nga reshjet e shiut, por edhe të dëborës që përfshinë lartësitë mbi 800 metra gjatë mbrëmjes së shkuar. Sipas prefektit të këtij qarku Elez Maci janë shkaktuar probleme në infrastrukturën rrugore si dhe atë të ujëmbledhësave.

Ndërkohë situate e rënduar nga reshjet e shiut ka krijuar probleme edhe sa i takon furnizimit me energji elektrike ku disa zona nuk furnizohem me drita për shkak të dëmtimit të fidrave përcjellës të energjisë. Sipas Macit iu është kërkuar drejtuesve të institucioneve të qëndrojnë në gadishmëri për të përballuar situatën që mund të krijohet për shkak të motit.

MB: Ja shkarkimet nga HEC-et
Ora 15:00- Ministria e Brendshme nëpërmjet një deklarate për media bën me dije se vijojnë shkarkimet nga dy HEC-e, Komani dhe Vau i Dejës.

Ministria e Brendshme: Ja situata e përmbytjeve
Ora 14:46- Ministria e Brendshme nëpërmjet një deklarate për mediat sqaron situatën e krijuar në vend si dhe na bën me dije të gjitha zonat e prekura nga përmbytjet.

Situata në Qarkun e Shkodrës
Në orën 9.30 u mblodh KECQ për të analizuar situaten e krijuar nga reshjet në territorin e Qarkut Shkodër, veçanërisht në rrethin Shkodër, në praninë e Ministrit të Brendshëm, z. Flamur Noka, Ministrit të Bujqësisë, z. Genci Ruli, Prefektja Qarkut të Shkodrës, znj. Voltana Ademi, Drejtori i Përgjithshem i Emergjenave Civile, Z. Alfrd Olli, përfaqësues të KESH, deputetë të Qarkut Shkodër.
Pas takimit ka vijuar inspektimi në zonë, kryesisht në komunën Rrethina, fshatin Bardhaj, fshatin Kuq në komunën Guri i Zi, ku edhe impakti i Lumit Kir është kërcënues në këtë zonë për shkak të gërryerjeve.

Masat e marra për përballimin e situatës së përmbytjes, shkaktuar për shkak të reshjeve të dy javëve të fundit bënë të mundur në kohë kohë rekord, si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të të gjitha strukturave, e në veçanti të Policisë së Shtetit, evakuimin e komunitetit dhe gjësë së gjallë, duke i garantuar ato në vendet e akomodimit të përkohshëm.
Situata në rrethin e Shkodrës gjatë ditës së sotme paraqitet si më poshtë: Aktualisht në territorin e rrethit Shkodër është përmbytur rreth 2000 Ha tokë, kryesisht në Bashkinë Shkodër, zona e Bahçallekut dhe Ajasëm, por edhe në komunat Ana e Malit, Berdicë, Dajç, Guri i Zi, Bushat.
Janë në prezencë të ujit rreth 60 shtëpi, ku gradualisht uji po largohet. Janë evakuar rreth 110 familje, të cilat janë akomoduar në të afërmit e tyre dhe një pjesë në konviktin e Shkollës Industriale. Evakuim ka qenë i përkohshëm, pasi gjatë ditës së sotme familjet janë rikthyer në banesat e tyre. Aksi i rrugës nacionale në harkun e Bërdicës është i hapur.

Qarku Vlorë.
Në qarkun e Vlorës, situata më problematike paraqitet në Urën e Mifolit, në fshatrat Fitore, Trevllazën, dhe Novoselë të komunës Novoselë.
Aktualisht reshjet kanë pushuar dhe situata po vjen duke permiresuar. Prurjet e lumit Vjosa po pakesohen dhe niveli i ujit tek ura e Mifolit është 6 m nga 7 m që është pika kritike. Janë evakuar 30 familje te fshatrave të bregut të lumit Vjosë (Fshati Fitore, Novoselë, Zhurë dhe Grykë Pishë), si dhe tre familje që ndodhen pranë urës së Mifolit. 

Qarku Fier. 
Edhe ne qarkun e Fierit situata po vjen drejt përmiresimit.
Më konkretisht toka bujqësore të përmbytura janë: komuna Hekal 50 ha, komuna Kutë 50 ha, komuna Frakull 50 ha dhe komuna Cakran 30 ha. Në komunën Levan, rreth 38 familje të fshatrave Ferras dhe Çervez 2, jane prekur nga prezenca e ujit, por jo në banesa. Problematike aktualisht paraqitet gjendja në lumin Seman pasi prurjet tek ura e Mbrostarit jane në kuota maksimale

Qarku Durrës.
Situata në qarkun e Durrësit po vjen drejt normalizimit të plotë. Gjatë ditës së sotme janë evakuar reth 20 familje ne fshatin Katund i Ri , komuna Sukth. Në gjithe qarkun po punohet për eleminimin e pasojave të përmbytjeve

Qarku Lezhë
Gjendja është në përmiresim, rreshjet janë me itensitet të dobët dhe niveli i ujrave në lumenjë dhe kolektorë është në rënie.
Hidrovorët punojnë të gjithë, niveli i ujrave në basenët e hidrovorëve është në kota të larta.
Siperfaqe të tokave bujqësore me prezencë uji janë:
Në zonen e Zadrimës 300ha, Komunat Dajç, Blinisht,Balldre, Kallmet;
Në zonen e Bregut të Matës 400ha, Komunat Kolsh, Zejmen, Shenkoll;
Në zonen Fushë Gjormë 150ha, Bashkia Laç, Mamurras e Kom. Fushë Kuqe;
Në zonen Fushë Mamurras, Adriatik 100ha, Bashkia Mamurras, K. F.Kuqe.
Gjendja e rezërvuarëve është në normalitet të plotë.

Haxhinasto: Shkarkimet do vijojnë deri në përmirësim të situatës
Ora 14:26- Ministri i Energjetikës, Edmond Haxhinasto ka shkuar sot në hidrocentralin e Vaut të Dejës, i cili ka nisur shkarkimet që paraditen e djeshëme bashkë me tre HEC-e të tjera.

Haxhinasto është shprehur se “Shkarkimet do vijojnë deri sa të rregullohet situata, deri sa të ulet niveli i reshjeve”.

Haxhinato siguroi se janë marrë masa për koordinimin e punës me të gjitha institucionet. “Po punojmë që të ketë sa më pak efekte negative për banorët”, tha ai.

Fier, 450 ha nën ujë, në Novoselë evakuohen 9 banesa, 500 ha tokë nën ujë
Ora 13:10- Vërshimi i lumit Vjosë, ka sjellë rritje të sipërfaqeve nën ujë në Fier. Deri në këto momente raportohet për rreth 450 hektarë tokë të përmbytura.

Situata është problematike edhe në Novoselë të Vlorës, ku 9 banesa janë evakuuar. Kreu i komunës së Novoselës deklaruaon se janë përmbytur rreth 500 ha tokë.

2000 ha të përmbytura në Shkodër, situata drejt përmirësimit
Ora 13:00- Sipas të dhënave të fundit të mbledhjes së Shtabit të Emergjencave mësohëet se numri i sipërfaqeve të përmbytura në Shkodër ka rënë. Korespondentja jonë në Shkodër, Eliona Kodra raporton se rezultojnë rreth 2000 ha tokë nën ujë, nga 4900 që ishin mëngjesin e sotëm. Nga 315 shtëpi të përmbytura, numri u ul në 115.

Sipas saj problematik mbetet Oboti, pasi uji ka vërshuar në shtëpitë e banorëve, duke i gjetur ata fare të papërgatitur. Të përmbytur edhe Dajci e Ana e Malit. Rruga që të con për në Bërdicë ka ende prezencë ujë, ndërsa situata paraqitet e përmirësuar në Velipojë. 

Tiranë, shkarkime edhe nga Bovilla

Ora 12:00-Drejtori i Ujësjellësit të Tiranës, Ferdinand Ismaili bëri të ditur për News24 se prej ditës së djeshme kanë nisur shkarkimet nga Bovilla. “Shkarkimet vijojnë dhe ditën e sotme”.

Shkodër, ministrat Ruli e Noka në Mbledhjen e Shtabit të Emergjencave
Ora 11:10- Mblidhet Shtabi i Emergjencave në Shkodër, marrin pjesë ministrat Genc Ruli dhe Flamur Noka.
Ministri solli në vëmendje një problem tjetër që është fryrja e liqenit të Shkodrës. Sipas Rulit, “ Moskontrollimi i shkarkimeve do sjellë daljen e liqenit. Në liqenin e Shkodrës ka shumë prurje dhe për pasojë është fryer”, tha ai ndërsa shtoi se pika më kritike ka qënë ditën e djeshme.

Ndërsa ministri i Brendshëm Noka deklaroi se janë marrë masat për evakuimin e personave, shtëpitë e të cilëve kanë prezencë uji.
Sipas tij, nuk ka dëme materiale e as në bagëti. ‘Kjo është një situatë e përkohshme”, tha ai. 

Fier, rrezikohet përmbytja e pompave që furnizojnë qytetin e me ujë
Ora 10:38-
Rrezikohen të përmbyten pompat që furnizojnë me ujë qytetin e Fierit, Nga të dhënat e fundit raportohet se uji është shumë afër pompave që ndodhen në Kafaraj.
Drejtori i Ujësjellësit të Fierit, Salarjon Totaj theksoi për News24 se nga 12 pompa në punë janë vetëm 3 pasi të tjerat janë përmbytur. Sipas Totaj, Ujësjellësi po punon me kapacitet të ulët, ndërsa punonjësit po evakuohen me gomone.

Mësohet gjithashtu se rreth 250 hektarë tokë janë përmbytur në fshatrat Hekal. Kut, Cakran, Frakull.

Gjirokastër, shembet rruga në lagjen muzeale, Dunavat
Ora 10:30- Si pasojë e reshjeve mësohet se është shembur sot edhe rruga në lagjen muzeale të Gjirokastrës. Rruga e lagjes Dunavat mësohet se lidh tre lagje të tjera, ndërkohë që nga prishja e saj mjetet s’mund të qarkullojnë. Përvec reshjeve, shembjen e rrugës e kanë favorizuar edhe rrëshqitjet.

Banorët e Bërdicës: Më mirë të na mbysin fare
Ora 10:25- Pas përmbytjeve vjen edhe reagimi i banorëve të Bërdicës. Sipas tyre, uji ka vërshuar dje rreth orës 20:00 duke rrethuar shtëpitë e tyre. “Nuk u paralajmëruam për këto vërshime ujërash. Nuk e kuptojmë se çfarë po bëhet me ne. Nuk është hera e parë që ne përmbytemi”, thonë ata.

Banorët shprehen të irrituar, pasi sipas tyre ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet nga përmbytjet e vitit 2010.

“Dëmshpërblimet e 2010 nuk na i kanë dhënë ende. Më mirë të na mbysin fare”, thonë ata. 

“Na ka hyrë uji brenda në shtëpi rreth 50 cm. Uji ka ardhur në mënyrë të menjëhershme nuk mundëm të shpëtojmë gjë. Kemi dëme të shumta materiale”, thotë një banor.

Ndërsa një tjetër shprehet, “Nuk ma mori mendja që uji do vërshonte menjëherë, në tv dëgjuam që nuk ka rrezik”.

Rrëshqitje dherash, bllokohet aksi Gramsh-Korcë
Ora 09:58- Rrëshqitje dherash edhe në aksin Gramsh- Korçë. Situata atje bëhet më problematike pasi të bllokuar në rrugë kanë mbetur dy autobusë më pasagjerë. Autobusët që kanë mbetur në rrugë janë të linjave Gramsh-Korçë e Moglicë-Korçë. Rruga është bllokuar në vendin e quajtur Moglicë.

Mësohet se drejt Moglicës është nisur një fadromë për të hapur rrugën.

Përmbytje në Durrës, del nga shtrati Erzeni
Ora 09:40- Probleme me përmbytjet edhe në Durrës. Si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Erzen sipërfaqe të tëra toke janë përmbytur. Kështu në Sukth janë përmbytur kryesisht tokat bujqësore. 

Ndërsa në Shijak 6 familje janë izoluar, pasi uji ka rrethuar banesat e tyre. E njëjta situatë paraqitet edhe në Katund të Ri, ku banesat janë të rrethuara nga uji.

Bulqizë, shembet ura, izolohen 4 fshatra
Ora 09:32-
Si pasojë e reshjeve të dendura është shembur ura Kamerrjet nqë komunën Zerqan të Bulqizës, duke izoluar kështu 4 fsahtra që lidheshin me të.

Rrëshqitje dherash, bllokohet aksi Këlcyrë-Përmet
Ora 09:23-
Rrëshqitja e një masivi dheu është bërë shkak për bllokimin e aksit rrugor Këlcyrë-Përmet. Rruga është bllokuar në vendin e quajtur Kuqar.

Mësohet gjithashtu se drejt këtij aksi është nisur një fadromë për të hapur rrugën.

Shkodër, 4900 ha tokë nën ujë, evakuime të shumta
Ora 09:10- Shtabi i Emergjencave bën me dije se në Shkodër janë rreth 4900 ha tokë të përmbytura në total. Rreth 315 shtëpi janë krejtësisht të izoluara. 

Në zonat periferike të Shkodrës, si në Ajasën mësohet se janë evakuuar rreth 20 familje, ndërkohë që në Bërdicë janë evakuuar 55 të tjera. Edhe në Bahçallëk janë evakuuar 20 familje, ndërsa 25 të tjera në Kuç.

Sipas Shtabit të Emergjencave niveli i ujit në Shkodër krahasuar me një natë më parë ka rënë me 40%.

Krujë, del nga shtrati lumi Ishëm, qindra ha nën ujë
Ora 08:50-
Të prekura nga përmbytjet janë edhe disa komuna në Krujë. Si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Ishëm ka përmbytje në kom unin Bubq e Thumanë. 40 familje në këto zona janë izoluar brenda shtëpive të tyre, ndërsa uji ka rrethuar oborret. Niveli i ujit në këto zona është rreth 60 cm. Pritet evakuimi i një familje në Bubq.

Në Morqinë, Bilaj, Mallkuc, Mazhë sipërfaqja e përmbytur është rreth 500 ha tokë. Përmbytje ka edhe në fshatin Dukagjin e Miliskajë. Shkak i përmbytjeve në këto fshatra është bërë mosfunksionimi i hidrovoreve.

Elbasan, del nga shtrati Devolli, i pakalueshëm aksi Elbasan-Gramsh
Ora 08:30- Si pasojë e reshjeve të dendura ka dalë nga shtrati në mesnatë edhe lumi Devoll. Për pasojë aksi rrugor që lidh Elbasanin me Gramshin është i pakalueshëm për automjetet.

Qarkullimi në këtë aks bëhet vetëm nëpërmjet rrugës së vjetër.

Fier, Vjosa del nga shtrati përmbyten 100 ha tokë
Ora 08:10-
Lumi Vjosë ka dalë nga shtrati edhe në Fier, duke përmbytur 100 hektarë tokë. Përmbytjet janë shkaktuar sot rreth orës 06:30 të mëngjesit në fshatrat Hekal dhe Kutë të Mallakastrës. Përmbytje si pasojë e daljes së Vjosës ka patur edhe në fshatrat Tojkan dhe Cerven të komunës Frakull.

Mësohet se lumi Vjosë është shumë afër pikës kritike, 6,7, ndërkohë që pika kritike është 7.

Ndërkohë që prurjet rriten, prezente ëshrtë policia me barkat e shpëtimit. Gjatë natës në vendngjarje ka qënë edhe Bordi i kullimit, FNSH, shtabet e komunave. 

Shkodër qindra ha nën ujë, përmirësohet situata në Bërdicë

Ora 08:00- Në Shkodër fshati Obot është izoluar nga uji, ndërsa niveli deri mbrëmjen e djeshme arriti në 70 cm. Sot situata paraqitet më e përmirësuar në harkun e Bërdicës, i cili u mbulua mbrëmë nga uji. 

Mësohet se sot uji është larguar nga kjo zonë. Situata duket më e përmirësuar edhe në lagjet periferike të qytetit të Shkodrës, Bahçallëk e Ajasën.

Vlorë, përmbyten 10 shtëpi në fshatin Fitore, rrezikohen 300 të tjera
07:40-
Situara paraqitet tepër e rëndë edhe në Vlorë, ku dalja e lumit Vjosë nga shtrati ka sjellë probleme të shumta, duke përmbytur toka e banesa. 

Mësohet se në fshatin Fitore shtëpitë e dhjetra familjeve janë përmbytur. Po ashtu përmbytje ka pasur në fshatrat Poro, Bishan, Delisuf, Dellinj. 

Nëse lumi Vjosë vijon me prurje të mëdha rrezikohen të përmbyten edhe 300 shtëpi të tjera.(BW/LajmeShqip.com)