PRISHTINË – Kosova përkujton sot, në shtatëvjetorin e vdekjes, Presidentin historik e arkitektin e Pavarësisë, Ibrahim Rugovën.
Homazhet nisën në mëngjes, ndërsa ndër veprimtaritë gjatë ditës do të jenë vizitat në familjen Rugova, akademia përkujtimore nën patronazhin e Presidentes Atifete Jahjaga, dhe akademia përkujtimore e LDK-së për themeluesin e saj në 23 dhjetorin e vitit 1989.
Si lider i partisë së lindur si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci, Ibrahim Rugova që para më shumë se dy dekadave hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për shtet, duke theksuar se “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkombëtar si fazë kalimtare”.
Në 24 maj 1992, pas deklarimit të popullit të Kosovës në referendum për pavarësi një vit më parë, Rugova në zgjedhjet e para nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh Presdident i Republikës së Kosovës, e cila ishte shpallur në vitin 1990, por nuk ishte njohur ndërkombëtarisht.
Në 4 mars 2002, duke u betuar në Parlamentin e Kosovës president i pas zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës, Rugova thoshte: “çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”.
Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.
Ibrahim Rugova ka lindur në 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, në një familje të madhe që kishte prejardhjen nga krahina e Rugovës, në Kosovë.
Në 21 janar 2006 u shua njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke lënë me veprën e tij jetësore gjithmonë ndezur dritën e të ardhmes për Kosovën shtet euroatlantik.(LajmeShqip.com)