Lajme Shqip Thursday, 26 July 2012 17:04

Prishtinë – Me aktivitete të ndryshme, duke përfshirë edhe Akademinë përkujtimore nën patronazhin e kryeministrit Hashim Thaqi, që u mbajt sot në orën 16:00 në sallën e kuqe të pallatit të rinisë dhe sporteve në Prishtinë u shënua njëvjetori i rënies së Heroit të Kosovës  Enver Zymberi.

Një delegacion i përbashkët i Ministrisë së Punëve të Brendshme i prirë nga ministri Bajram Rexhepi dhe Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Shpend Maxhuni ka vizituar sot familjen e Enver Zymberit në fshatin Dubovc të Vushtrrisë.

Pas vizitës delegacioni ka vazhduar në drejtim të varrezave të fshatit Dubovc, ku janë vënë kurora pranë varrit të Heroit të Kosovës Enver Zymberi.

Ngjarja tjetër e radhës me rastin e shënimit të përvjetorit të rënies së Enver Zymberit ishte  vendosja e gurëthemelit të lapidarit të tij në hapësirën e objektit të ri të administratës së PK-së, nga ana e ministrit Rexhepi dhe drejtorit të PK-së, Shpend Maxhuni. 

Edhe në Akademinë përkujtimore u çmua lartë shëmbëlltyra dhe përkushtimi i Heroit të Kosovës Enver Zymberi.

Bajram Rexhepi tha se Enver Zymberi ra në krye të detyrës së shenjtë të zbatuesit të ligjit, në betejë për të ruajtur rendin kushtetues dhe për të zbatuar ligjin në tërë territorin e vendit.

“Shëmbëlltyra njerëzore e Enver Zymberit – Heroit të Kosovës, dhe përkushtimi i tij profesional për përmbushjen e detyrës do të kujtohen me mburrje dhe nderim përgjithmonë, si shembull i sakrificës, nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, për sigurinë dhe stabilitetin e të cilëve Enveri me vetëdije të lartë shtetërore dhe gatishmëri të patrembur flijoi jetën e tij”, theksoi ndër të tjera ministri Rexhepi.

Shpend Maxhuni, ndërkaq, tha se Enveri do të kujtohet për të mos vdekur kurrë si një njeri me vlera dhe virtyte të larta.

“Ideali dhe figura e Enver Zymberit – Hero i Kosovës, kurrë nuk do të vdesin sepse ai la pas vete mbi 7 mijë vëllezër dhe motra pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët vazhdojnë rrugëtimin drejt realizimit të idealeve dhe amanetit të tij. Puna dhe vepra e tij atë e kanë bërë të pavdekshëm në kujtimet e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe më gjerë, duke qenë shembull i sakrificës për ideale”, tha Maxhuni në Akademinë përkujtimore.(LajmeShqip.com)