Lajme Shqip Monday, 08 July 2013 16:44

Tiranë – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj vendosi përjashtimin e dy oficerëve të policisë, që akuzohen për ngacmimin e femrave në kryeqytet. 
Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, Policia e Shtetit bën të ditur se dy oficerët e policies, Pjerin Voci dhe Julian Malaj, janë përjashtuar nën akuzën e “Kryerjes së veprimeve të pahijshme” dhe “Shkelje të Kodit të Etikës së punonjësit të policisë”. 
“Lidhur me ngjarjen e datës 05.07.2013, në Tiranë, ku dy punonjës të policisë u konstatuan nga patrulla e policisë se po kryenin veprime te pahijshme me qytetaret, të cilët gjatë shoqërimit kanë fyer dhe kundërshtuar punonjësit e patrullës së policisë, ju bëjme me dije se: Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Z.Hysni Burgaj, gjatë ditës së sotme, bazuar ne Ligjin Nr. 9749 date 04.06.2007 ” Për Policinë e Shtetit” dhe Rregulloren e Disiplinës së Policisë së Shtetit, ka vendosur përjashtimin nga Policia e Shtetit “Për kryerje të veprimeve te pahijshme ” dhe “Shkelje të Kodit të Etikes të punonjësit të policisë”, te dy oficerëve të policisë: Komisar Pjerin Voci dhe Komisar Julian Malaj.”- thuhet në njoftimin policies, raporton BW.
Efektivët e policisë e kanë cilësuar si të sajuar ngjarjen për të cilën ata u arrestuan. Julian Malaj, ka pohuar se e vërteta do të dalë në dritë pas të gjitha hetimeve që do të bëhen. Efektivi i policisë është indinjuar shumë pas lajmit të publikuar në media, ndërkohë që i ka quajtur veprime arbitrare dhe tendencioze ato të patrullës së përgjithshme të policisë. 
“E kanë sajuar ngjarjen. Ne kemi qenë në makinë bashkë me kolegun kur kanë ardhur për të na arrestuar. Nuk kemi qenë të dehur dhe as femra nuk kemi ngacmuar”, pohon efektivi i policisë. Ndërkohë, ai hedh akuza mbi efektivët e policisë së patrullës së përgjithshme duke i cilësuar veprimet e tyre si tendencioze. 
Sipas efektivit të policisë, patrulla e policisë i ka ndaluar në rrugë dy kolegët dhe u ka thënë që të shkojnë me ata, pa ju dhënë asnjë lloj motivi. “Hetimet do të vërtetojnë se si qëndron e vërteta. Çdo gjë është sajuar. Ne nuk mund të themi më shumë se kaq”, ka pohuar efektivi Julian Malaj.