Lajme Shqip Tuesday, 04 December 2012 18:03

Prishtinë – Kryeministri Hashim Thaçi, përmes një letre dërguar Baroneshës Catherine Ashton dhe Komandantit të Operacioneve Civile të BE-së Hansjorg Haber, ka shprehur shqetësimin e tij për shpërndarjen e përgjimeve të EULEX-it ndaj zyrtarëve të lartë institucional.

Në letrën të cilën e ka siguruar Gazeta Express, Kryeministri kërkon që të merren masa të shpejta ndaj njerëzve që, kundërligjshëm, shpërndanë këto përgjime.

“Ne dëshirojmë të besojmë thellësisht që ky lëshim i personelit të EULEX-it është bërë pa qëllim dhe nga neglizhenca apo joprofesionalizmi i personave të kyçur në këtë proces, dhe shpresojmë që EULEX do të ndërmarrë masat përkatëse adekuate ndaj individëve të cilët janë të përfshirë në këtë proces”, thotë Kryeministri në letrën e tij.

Ai pohon se mosruajtja e materialeve të mbledhura gjatë zbatimit të procedurës hetimore dhe zbulimi i këtyre materialeve, në Republikën e Kosovës konsiderohet vepër penale e përcaktuar me Nenin 311 (Shkelja e fshehtësisë së procedurës) dhe Nenin 347 (Zbulimi i fshehtësisë zyrtare) të Kodit Penal.

Po ashtu Kryeministri dyshon nëse përgjimet janë bërë konform ligjit.

“Po ashtu, shpresojmë që në një kohë të shkurtër do të njoftohemi se procesi i përgjimit të telekomunikimit a është zhvilluar në pajtim me Kodin e Procedurës Penale (KPP) gjegjësisht Kapitullin XXIX: Masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit (Nenet 256-267), në të cilin përcaktohet mënyra e kryerjes së përgjimeve të telekomunikimeve”, thuhet në letër.

“Mbrojtja e privatësisë është vlerë e njohur e demokracisë evropiane dhe ndërkombëtare dhe është garantuar edhe me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare që zbatohen drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës (Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj), me nenet përkatëse të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (Nenet 21, 22, 23, 36, 41(2) dhe nenin 53), dhe Ligjin për Mbrojtjen e të dhënave personale”.

Letra e Kryeministrit vjen disa ditë pasi që në internet dolën disa biseda telefonike të Adem Grabovcit me Kryeministrin Thaçi, Kadri Veselin, Vlora Çitakun dhe Sami Lushtakun.

Fillimisht Qeveria përgjimet i kishte quajtur të fabrikuara dhe shantazh publik, derisa EULEX kishte konfirmuar se përgjimet janë autentike.(Express)