Lajme Shqip Monday, 03 March 2014 14:40

Në seancën e sotme të Komisionit Parlamentar të Sigurisë është vendosur që Kreu i SHISH të raportojë në një seancë me dyer të mbyllura për shkak të informacionit të klasifikuar.

 
Visho Ajazi Lika do të raportojë në lidhje me akuzat që janë ngritur ndaj institucionit të tij për mosbashkëpunim me policinë sa i takon shpërthimeve me tritol por pritet që temë diskutimi të jenë edhe denoncimet në media për përgjimet që janë kryer nga ky institucion për drejtuesit e lartë të policisë, tatimeve dhe doganave por dhe drejtorë, prefektë, deputetë.

Në një prononcim për A1 Report, kreu i komisionit të Sigurisë Spartak Braho tha se nuk dinte që ishte në përgjim por nëse ka ndodhur atëherë do të merren masa drastike.

“Nuk di që përgjohem. Nuk ka bir nëne që më përgjon mua por nëse ka ndodhur kjo është kundër rregullave dhe do të merren masa drastike. Përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale”- tha Braho për gazetaren Joniada Koçi. 

Në numrin e së dielës, 2 mars 2014, gazeta “Shqiptarja.com” zbuloi disa nga emrat që agjentët e SHISH mbajnë nën vëzhgim dhe një pjesë e informacioneve rreth këtyre emrave janë bërë pjesë e debateve politike në parlament dhe jo vetëm. 
Një burim, i cili është pjesë e skemës së ndjekjeve operative i ka thënë gazetës, se bëhet fjalë për deputetin e LSI-së Spartak Braho, këshilltarin e kryeministrit Edi Rama, Ermal Beqiri, Drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, Briseida Shehaj, prefektin e Vlorës Besnik Dervishi, kryebashkiakun e këtij qyteti Shpëtim Gjika, Drejtoreshën e Doganave Elisa Spiropali dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Artan Didi, si dhe shefin e qarkullimit në Vlorë Ilir Rrokaj.


Kryetari i komisionit të Sigurisë, Spartak Braho tha se  kreu i SHISH do të raportojë me kërkesë të opozitës. 
 Visho Ajazi Lika do të jetë i pranishëm në Komisionin e Sigurisë në një seancë dëgjimore në lidhje me akuzat që janë ngritur ndaj institucionit të tij për mosbashkëpunim me policinë sa i takon shpërthimeve me tritol. 
Kërkesa për këtë seancë dëgjimore është bërë nga deputeti ish ministri i Brendshëm. Gjithashtu Visho Ajazi do të flasë edhe për emërimet në SHISH. Kjo është kërkuar nga deputeti i PS-së Qefalia. /shqiptarja/