Lajme Shqip Tuesday, 20 December 2011 21:00

Tiranë – Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës shprehu sot përmes një njoftimi keqardhje ndaj pyetjeve të deputetëve të PS-së, që “vijojnë sjelljen jo-institucionale dhe ligjore, duke përdorur mediat si burim propagande, ndërsa ligji për të drejtën e informimit dhe e drejta si deputetë u jep gjithë hapësirat”.

Në njoftimin zyrtar të METE-s, thuhet se miniera e Bulqizës, minatorët, si dhe gjendja në atë sektor, janë duke u përdorur keqazi nga forca të caktuara politike, që përdorin për firma deputetësh të ardhur në Parlament në vitin 2009, madje edhe më vonë, duke harruar të kaluarën socialiste.

“Nuk është e rastit që në pyetjet e drejtuara, asnjë prej firmëtarëve, nuk ka qenë deputet në vitet 2000-2005, kur janë dhënë rreth 54% e lejeve minerare”, thuhet në njoftim, ku shtohet fakti se për një problem kaq serioz siç është situata në minierën e Bulqizës, PS nuk ka futur mes firmëtarëve dy deputetët e qarkut të Peshkopisë ku përfshihet edhe Bulqiza, Sadri Abazi dhe Qemal Minxhozi.

METE shpreh habinë që ky grup ligjvënësish të rinj nuk denonocojnë në Prokurori atë që e quajnë “grupe mafioze të veshura me pushtet kontrollojnë minierat, por bëjnë politikë me jetët e minatorëve dhe me familjet e tyre”.

METE shprehet se e “ka treguar me ligj dhe jo me fjalë prej mëse një viti, se është në krah të shqetësimeve të minatorëve. Vendimet për pezullim, apo heqje liçencash shfrytëzimi janë ndërrmarrë nga ky insitucion dhe jo vetëm një herë, pa pasur nevojë për pyetje të parapërgatitura dhe të qëllimta politike”.

Ministria siguron deputetët e rinj të Partisë Socialiste se do të marrin përgjigje për çdo shqetësim dhe pyetje dhe u kërkon atyre të marrin informacionin e nevojshëm edhe brenda PS-së për marrëveshjet konçensionare të nënshkruara 10 vjet më parë.

Ministria e Ekonomisë shpreh keqardhjen për çdo jetë të humbur në minierën e Bulqizës, premton vendosmëri për t’i thënë “stop” çdo lloj abuzimi politik dhe profesional në kurriz të minatorëve, ndërsa është e gatshme për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për minierat e Bulqizës dhe e hapur për interpelancë parlamentare nga deputetët e rinj të Partisë Socialiste.

Tetë deputetë të opozitës kanë protokolluar në kryesinë e kuvendit, një letër për kërkesë informacioni ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës Nasip Naco në lidhje me minierën e Bulqizës ku thonë se ka dyshime serioze se grupe mafioze kontrollojnë shfrytëzimin dhe tregëtimin e mineralit duke përdorur minatorët si skllevër e pasurinë kombëtare si mall pa zot dhe se galeritë e minierave janë shëndruar në kampet e përqëndrimit të kohëve moderne. (LajmeShqip.com)