Lajme Shqip Sunday, 11 December 2011 20:17

Hagë-Avokatë të ekipit mbrojtës të Ramush Haradinajt kanë mohuar shkrimet e disa mediave kosovare për vendimin e Gjykatës së Hagës për lirim të tij gjatë festave të fundvitit e deri më 14 janar.

Avokati i ekipit mbrojtës, Arianit Koci ka thënë për KTV se vendimi për lirim të përkohshëm ende nuk është marrë, por pret që të bëhet brenda disa ditëve. 

Megjithatë, ai ka theksuar se procedura mund të zgjasë deri më 19 dhjetor, në qoftë se Prokuroria e Tribunalit bën ankesë lidhur me vendimin për lirimin e përkohshëm të Ramush Haradinajt.

Ndërkohë drejtues të të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thonë se vendimi i Gjykatës për lirimin e ish-kryeministrit Ramush haradinajt, pritet të merret javën që vjen, ndërsa kujtojnë se pala mbrojtëse ka bërë kërkesë për lirimin e tij për festat e fundvitit.

Sipas nënkryetarit të AAK-së, Ahmet Isufi, Gjykata ende nuk ka marrë ndonjë vendim rreth kësaj kërkese. Në këtë mënyrë Isufi ka mohuar raportimet e mediave për lirimin e tij.

Gjykata e Hagës në nëntor të këtij viti bëri të ditur se procesi gjyqësor kundër ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tij Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj do të vazhdojë më 13 shkurt të vitit të ardhshëm.