Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 16:11

Tiranë – Një ditë pas vdekjes së pretendentit të fronit mbretëror të Shqipërisë, Leka Zogu I, po bëhen të gjitha përgatitjet për të nderuar kujtimin e trashëgimtarit të mbretit Zog.

Dje Kryeministri Sali Berisha shpalli të shtunën, 3 dhjetor, ditë zie kombëtare, për të nderuar kujtimin e trashëgimtarit të mbretit Zog, Leka i Parë.

Të shtunën të gjithë flamujt kombëtarë do të jenë të ulur në gjysmë shtizë dhe në mesditë do të mbahet një minutë heshtje, në rrugë e kudo qoftë, sikundër parashikon edhe Protokolli i Shtetit për Ditën e Zisë Kombëtare, ndërsa RTVSH do të transmetojë muzikë funebre.

Qeveria ngriti dje Komisionin Shtetëror, të kryesuar nga zëvendëskryeministri Edmond Haxhinasto, dhe të përbërë nga Aldo Bumçi, ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve; Arben Imami, ministër i Mbrojtjes; si dhe një përfaqësues i Oborrit Mbretëror Shqiptar; një përfaqësues i Protokollit të Shtetit; dhe një përfaqësues i protokollit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Ceremonia zyrtare e homazheve për të nderuar trashëgimtarin e fronit mbretëror, Leka i Parë, i cili u nda nga jeta mëngjesin e të mërkurës në Reanimacionin e Spitalit Neurokirurgjik të Tiranës, në moshën 72-vjeçare, do të zhvillohet në sallën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë që i tërë ceremoniali do të përballohet nga fondet e buxhetit të vitit 2011 për MPJ-në.

Pas homazheve trashëgimtari i fronit mbretëror, me uniformën e vet ushtarake, siç e la amanet, do të prehet në Varrezat e Sharrës, pranë eshtrave të së ëmës mbretëreshës Geraldinë, dhe bashkëshortes së tij, Suzanë, e cila ndërroi jetë në vitin 2006.

Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë, duke e nderuar trashëgimtarin e fronit mbretëror shqiptar, Leka i Parë, si mbretin e shqiptarëve jo në detyrë, ashtu siç ai njihet në mbarë botën që prej shpalljes “Mbret i Shqiptarëve” në ekzil në vitin 1961, pas vdekjes së të atit, mbretit Ahmet Zog, deklaroi se “Mbretit Leka I duhet t’i jepet lamtumira e fundit, ashtu siç i takon një mbreti, edhe pse jo në detyrë”.

Ndërkohë shumë përfaqësues të politikës shqiptare nuk kanë nguruar të njohin vlerat patriotike të birit të mbretit Zog, Lekës së Parë.

Trashëgimtari i Fronit Mbretëror Shqiptar, i cili jetoi një jetë të tërë në mërgim, ia kushtoi tërë jetën Shqipërisë. Ai nuk mundi ta njohë Shqipërinë, pasi iku prej saj foshnje dyditëshe, në momentin kur Shqipëria u sulmua nga Italia fashiste, për t’u rikthyer përgjithmonë vetëm në vitin 2002. Por, përpjekjet e Familjes Mbretërore kanë qenë të shumta për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri.