Lajme Shqip Friday, 26 August 2011 13:28

Tiranë – Ka përfunduar në orët e vona të pasdites së djeshme, aksioni i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) për prishjen e ndërtimeve përgjatë rrugës ku do të ndërtohet  Unaza e Madhe e Tiranës.

Aksioni i ndërmarrë nga INUK, nisi më datë 10 gusht dhe kishte për qëllim prishjen e afro 50 ndërtesave, përgjatë trajektores ku do të ndërtohet Unaza e Madhe, nga Kopshti Botanik deri në zonën e Saukut të vjetër, pranë xhamisë. Një pjesë e ndertesave ishin pa leje, ndërsa pjesa tjetër me dokumenta të rregullta apo në proces regjistrimi. Këto të fundit u kompensuan në përputhje të plotë me ligjin.

Ndërkohë, drejtues të INUK kanë bërë me dije se sot pritet të fillojë puna për shembjen e ndërtesave për t’i hapur rrugën ndërtimit të një segment tjetër, atij do të lidhë unazën e madhe me Mulletin. Ky segment, i cili ka filluar të ndërtohet më 6 janar të këtij viti pritet të përfundoi më 6 korrik të vitit të ardhshëm. Ai ka një kosto prej 1 575 876 698 lekësh dhe punimet për ndërtimin e tij po kryen nga dy firma, ‘Alb-Construktion” dhe “ID-Construktion”.

Unaza e Madhe e Tiranës do të jetë nyja e pikënisjes së autostradës së re Tiranë-Elbasan, e cila më pas do të vijoi në Lundër, Mullet, Ibë, duke përshkuar Kërrabën me anë të një tuneli prej mëse 2 kilometrash e duke dalë në anën tjetër në Luginën e Bradasheshit, e gjitha kjo për vetëm 25 kilometra dhe vetëm 18 minuta, “duke e bërë Elbasanin një lagje të kryeqytetit”, siç edhe eshte shprehur kryeministri Sali Berisha gjatë inaugurimit të punimeve.

Ndërkaq, përsa i takon Unazës së Madhe të kryeqytetit, sipas projektit të Bashkisë, ajo do të kalojë në dy segmente kryesore. Segmenti i parë do të ketë trajektoren “Babru – Bregu i Lumit – Kthesa e Kazmës”. Ky segment do të ketë një shtrirje prej 6.5 kilometrash, me 8 korsi, ku do të përfshihet edhe një korsi e veçantë për mjetet e transportit publik dhe të emergjencës. Ndërsa segmenti i dytë i Unazës, ndërtimi i të cilës ka filluar në mars të këtij viti, ka një gjatësi prej 5,228 kilometra dhe është projektuar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në kodrat e Saukut dhe lidhet me rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik.

Në pjesën e parë të saj, në zonën e Selitës deri tek Parku i Madh, rruga përshkon një zonë urbane me dendësi ndërtimesh, të cilat kryesisht janë të ulëta dhe në një zonë me mungesa në infrastrukturën nëntokësore. Pjesa tjetër e Unazës së Madhe kalon në zonën kodrinore mbi kodrat e Liqenit Artificial dhe kodrat e Saukut.

Nga studimet e kryera, rruga e re parashikohet që të përballojë një trafik me mbi 20 mijë makina në ditë, që në momentin e parë të funksionimit të saj dhe duke llogaritur rritjen e vazhdueshme të trafikut, kjo rrugë parashikohet që në vitin 2013 të përballojë një trafik prej 38 mijë makinash në ditë.