Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 16:29

Tiranë – Shtetasi Ferat Skacaj, i akuzuar për vrasjen e një shtetasi dhe plagosjen e dy të tjerëve në dhjetor të 2010, do të përballet së shpejti me Gjykatën e Tiranës, për akuzat e ngritura ndaj tij.

Burime zyrtare nga prokuroria e Tiranës bënë të ditur sot se, kanë përfunduar hetimet ndaj 35 vjeçarit Skacaj me akuzat e “vrasjes së kryer në gjendje të tronditjes se fortë psiqike”, “plagosje e rëndë me dashje” dhe “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”.

Skacaj, i arrestuar, akuzohet si autor në ngjarjen e ndodhur në 6 dhjetor 2010 pranë një lokali bastesh sportive në zonën e njohur si “Kthesa e Kamzes”, kur, pas një konflikti ai ka goditur me thikë për vdekje 40 vjeçarin Murat Mata, ndërsa ka plagosur edhe dy shtetas të tjerë, njëri i afërm i viktimës.

Shkak për ngjarjen mendohet të jetë bërë pamundësia e autorit për të shlyer një sasi lekësh hua që i kishte viktimës. Procesi ndaj tij pritet të nisë së shpejti.