Lajme Shqip Friday, 07 September 2012 12:51

Prishtinë (PLOTESUAR 7  SHTATOR, 14:30) – Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për Kosovë dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Z. Samuel Zhbogar, mirëpret vendimin e Kuvendit të Kosovës për EULEX-in.

“E përshëndes vendimin e sotëm të Kuvendit të Kosovës për të vazhduar partneritetin e ngushtë midis Kosovës dhe EULEX-it. Fuqizimi i sundimit të ligjit në Kosovë mbetet prioritet dhe objektivë e jona e përbashkët, dhe vendimi i sotëm do të na ndihmojë që ta arrijmë këtë edhe më shpejt. 

Mbështetja e fuqishme e Kuvendit ishte një konfirmim i angazhimit të Kosovës për të ardhmen e saj evropiane. EULEX-i është pjesë e qasjes gjithëpërfshirëse të BE-së për Kosovën dhe në të ardhmen ne duhet ta mbjellim këtë së bashku edhe më vendosmërisht në proceset e Bashkimit Evropian. Inkurajoj Kosovën që të shfrytëzojë më së miri ekspertizën në dispozicion në kuadër të këtij misioni. Në veçanti, kjo do të jetë e rëndësishme për plotësimin e kërkesave për dialogun për liberalizimin e vizave dhe studimin e fizibilitetit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. 

Unë sinqerisht, këtë hap në këtë proces e konsideroj si dëshmi të besimit tonë në rritje dhe dëshmi të partneritetit tonë në interes të qytetarëve të Kosovës”, thuhet në komunikatën e shefit të Zyrës së BE-së për Kosovën. (LajmeShqip.com)

***************************************

Prishtinë (PLOTESUAR 7  SHTATOR, 13:52)- Pieter Feith, përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICR) e mirëpriti sot miratimin nga Kuvendi i Kosovës të ndryshimeve kushtetuese që ndërlidhen me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë.

Në një komunikatë të dhënë nga zyra e Feith thuhet se, miratimi i ndryshimeve hap rrugën që në mbledhjen e Grupit Drejtues Ndërkombëtar (ISG), e cila do të mbahet të hënën në 10 shtator në Prishtinë, të merret në shqyrtim deklarimi i përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe përfundimi i mandatit të ICR-së.

Feith tha se, “votimi i sotëm në Kuvend nuk paraqet vetëm hapin e fundit praktik që nevojitet për të mundësuar vendimin e ISG-së për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, por gjithashtu është një arritje e madhe për Kushtetutën e Kosovës”.(LajmeShqip.com)

***************************************

Prishtinë – Ligjvënësit e Kosovës me votën e tyre i kanë dhënë fund sot mbikëqyrjes së pavarësisë dhe kanë miratuar thirrjen që presidentja e vendit Jahjaga i ka bërë EULEX-it për të vazhduar mandatin në Kosovë deri më 2014.

Ndërsa për amendamentet kushtetuese, me të cilat i jepet fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës votuan 98 deputetë,  përfshirë këtu edhe 22 votat e komuniteteve, 10 ishin kundër e 1 abstenoi, për përtëritjen e misionit të EULEX-it votuan 97 deputetë, 11 ishin kundër dhe dy abstenuan.

Miratimi i 22 amendamentevenë Kushtetutën aktuale të Kosovës, sanksionon përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së vendit tonë.
Paraprakisht në  seancën e sotshme të Kuvendit të Kosovës përfaqësuesit e grupeve parlamentare u deklaruan rreth këtyre ndryshimeve.  Vetëm Grupi parlamentar i Vetëvendosjes u deklarua kundër ndryshimeve, me arsyetimin se ato nuk përmbushin kërkesën për heqjen e mbikëqyrjes, por për vazhdimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës.

Ndërkohë, rreth kërkesës së presidentes Atifete Jahjaga për zgjatje të mandatit të EULEX-it në Kosovë deri në vitin 2014 u mbështet nga të gjitha grupet parlamentare, me përjashtim të Vetëvendosjes.

Letra e presidentes, e cila i është dërguar shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, u miratua në formë të traktatit ndërkombëtar.
Të hënën, Kosova dhe grupi punues ndërkombëtar do të shpallin përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.(LajmeShqip.com)