Lajme Shqip Friday, 31 August 2012 14:13

Prishtinë – Kuvendi i Kosovës me 63 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim, miratoi Ligjin përmes së cilit ndryshon pakon e ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan një për një amendamentet e për ndryshimin dhe plotësimin e pakos prej 21 ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës. Kryetari i komisionit për ndryshimet kushtetuese, Arsim Bajrami e quajti këtë moment historik për Kosovën. “Jemi të gjithë të vetëdijshëm që ky është një moment historik, sepse Kosova po shënon përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe po fiton të drejtën të qeveris veten”.

Shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymerit, i bëri më shumë përshtypje fjalia e fundit e Bajramit, për fitimin e të drejtës së Kosovës për ta qeverisur veten. Ndërkohë, një debat më i nxehtë është zhvilluar për disa prej amendamenteve që kanë të bëjnë me Ligjin për liritë fetare. Kryeministri Hashim Thaçi bëri thirrje të përkrahen amendamentet e komisionit ad hoc. “Ju ftoj të gjithë deputetëve të të gjitha partive politike, t’i japim mbështetje të plotë propozimit të komisionit që është propozim edhe i Qeverisë, edhe garancë që i kemi dhënë komunitetit ndërkombëtarë”.

Në disa raste thirrja e kryeministrit bëri punë, e kjo nuk i ka pëlqyer kryeparlamentari Jakup Krasniqi. “Ne nuk e votuam një amendament që e mbron Kushtetutën”, tha Krasniqi.

Por, thirrja e kryeministrit, nuk ka bërë punë për amendamentet e propozuara nga deputeti i PDK-së, Hydajet Hyseni, shumica prej të cilëve kanë kaluar. Sidoqoftë, për amendamentet 32, 33 dhe 37, të propozuara nga Hyseni, është dashur të mblidhet Kryesia e Kuvendit që të vendos nëse votimi për to ka qenë korrekt. Kryeparlamentari Krasniqi pas kthimit në sallë ka bërë të ditur se këto amendamente, nuk e kanë plotësuar kriterin e votës së dyfishtë, që do të thotë votën e shumicës së deputetëve joshqiptarë, siç është e përcaktuar në nenin 81 të Kushtetutës. 

Ndërkohë në fillim të seancës mes PDK-se dhe LDK-së janë shkëmbyer akuza rreth bllokimit të reformës zgjedhore dhe asaj kushtetuese. Deputetja nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani tha reformat po i bllokojnë presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi, me moszbatimin e marrëveshjes politike. Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci tha se është vet LDK-ja ajo që ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese, dhe si i tillë, ai vendimi duhet respektuar.(LajmeShqip.com)