Lajme Shqip Wednesday, 23 November 2011 19:20

Kllokot – Përfaqësuesi civil ndërkombëtar Pieter Feith është shprehur optimist sa i përket bisedimeve Prishtinë-Beograd dhe ka deklaruar se marrëveshjet e arritura janë shumë të rëndësishme për të dyja vendet.

Ai ka theksuar se duhet të presim zbatimin e këtyre marrëveshjeve në mënyrë që të lëvizet në fusha të tjera, siç është telekomunikacioni dhe energjia elektrike.

“Unë shpresoj se do të ketë  progres në vazhdimsi dhe se do të ndodhin marrëveshje shumë të rëndësishme, por tani ne duhet të shohim implementimin e këtyre marrëveshjeve  dhe duhet të lëvizim në pjesë të tjera të marrëveshjeve që mund të ndodhin sa i përket fushës së telekomunikacionit dhe të energjetikës,” ka thënë Feith.

Lidhur me gjendjen në veri të Kosovës, Feith u shpreh se të gjithë dëshirojnë që të kthehet lëvizja e lirë dhe të rivendoset sundimi i ligjit në atë pjesë, duke hequr barrikadat dhe për ti dhënë hapësirë EULEX-it që të kryej misionin e tij.

Këto komente përfaqësuesi special Piter Feith i bëri sot gjatë një vizite në komunën e Kllokotit.