Lajme Shqip Monday, 08 October 2012 15:24

TIRANE – Autorët e përdhosjes së flamurit shqiptar në Himarë në vitin 2003 kërkojnë mëshirë nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

“Komuniteti himarjot”, me anë të një letre drejtuar kreut të shtetit Bujar Nishani, kërkon faljen e dënimit për personat e dënuar për thyerjen e simboleve kombëtare të Shqipërisë në vitin 2003. Letra e cila u është shpërndarë edhe mediave, kërkon faljen e dënimit të mbetur për pesë persona.

Ata janë dënuar për ngjarjet e vitit 2003 në Himarë, dhe janë konkretisht shtetasit Alfred Beleri, Koço Llazari, Kristina Rrapo, Vangjel Polia dhe Anxhela Kukaveci. Letra e cila i është drejtuar Presidentit të Republikës Bujar Nishani, është artikuluar në emër të “komunitetit himarjot”.

Në të theksohet se pavarësisht kërkesave të drejtuara presidentëve të mëparshëm Bamir Topi dhe Alfred Moisiu, ata nuk ua falën dënimin të akuzuarve për thyerjen e simboleve kombëtare të Shqipërisë. Në letrën drejtuar Presidentit, theksohet fakti se të dënuarit kanë bërë ankim në Strasburg për vendimin sipas tyre të padrejtë të dhënë nga gjykatat shqiptare.

Ndërkohë mediat vizive dhe të shkruara kanë fiksuar skenat se si të dënuarit në fjalë kanë grisur e fyer flamurin shqiptar gjatë procesit zgjedhor në Himarë, në vitin 2003. Stavri Marko është firmëtari i letrës drejtuar Presidentit Bujar Nishani. “Ne gjejmë rastin t’ju drejtohemi duke parë një realitet të ri, të një Shqipërie gjithmonë e më pranë Europës, e cila aspiron me angazhimet e saj shumëdimensionale të jetë protagoniste konsekuente e lirive dhe e të drejtave universale e humane, ashtu siç edhe ju e dëshmuat në fjalimin e mbajtur përkatësisht në Kombet e Bashkuara dhe në Këshillin e Europës”, shkruhet në letrën drejtuar Presidentit Bujar Nishani.
Letra duket se ka për qëllim të nxisë kreun e shtetit për të firmosur lirimin e pesë personave në kuadër të një amnistie të pritshme me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. (LajmeShqip.com)