Lajme Shqip Wednesday, 19 February 2014 16:08

Rishikimi i sektorit të sigurisë, që është pritur të rezultojë me ndryshim emri dhe mandati të Forcës së Sigurisë së Kosovës, është diçka që zyrtarët e NATO-s thonë se nuk është diskutuar ende në nivel të saj.

Për më tepër zyrtarët e NATO-s i kanë thënë Radio Kosovës se vendimi nëse Forca e Sigurisë së Kosovës duhet të evoluojë do të merret nga Këshilli Veri- Atlantik.
Duket që do të jetë Këshilli Veri-Atlantik ai që do të thotë fjalën përfundimtare nëse mandati dhe misioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës do të duhet të ndryshoj.

Zyrtarët e NATO-s kanë thënë se nëse mandati dhe misioni i FSK-së ndryshon, kjo pritet të ndodhë pasi që Këshilli Veri-Atlantik ta shqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s.

Duke shpalosur elementin kryesor të dalë nga rishikimi strategjik i sektorit të sigurisë, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka bërë publike se Forca e Sigurisë së Kosovës do të shndërrohet në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK), e cila sipas tij, do t’i ketë tërë tiparet e një ushtrie.
Por, këtë deklarim zyrtarët e NATO e kanë cilësuar “të nivelit të brendshëm”. Për më tepër, ata kanë thënë se NATO aktualisht mbështet Forcën e Sigurisë së Kosovës në mandatin e saj aktual.

“Ne jemi në dijeni për deklaratën e z. Thaçi. Kjo është një çështje e brendshme e cila përfshin institucionet lokale. Siç e kemi përmendur edhe në përgjigjet e mëparshme, NATO aktualisht mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në kuadër të misionit dhe mandatit të saj fillestar, përmes Zyrës Ndërlidhëse të sapo themeluar të NATO-s dhe Grupit Këshillues”, thuhet në përgjigjen e Departamentit për Marrëdhënie me Publikun të NATO-s për Radio Kosovën.

Sa i përket formatit të ardhmes së forcës ushtarake të Kosovës zyrtarët e NATO-s kanë thënë se kjo pritet të vendoset pas rishikimit që do t’i bëjë Këshillit Veri- Atlantik prezencës së NATO-s.

“Në lidhje me pyetjen tuaj rreth së ardhmes së statusit të FSK-së kjo është hipotetike dhe nuk është diskutuar në NATO. Nëse mandati dhe misioni i FSK-së do të ndryshoj, ne presim që Këshilli Veri-Atlantik ta shqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s”, thuhet në këtë përgjigje të Departamentit për Marrëdhënie me Publikun të NATO-s.

Qeveria e vendit pritet të bëjë publike materien e dokumentit të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë nga i cili ndryshimet qenësore bien mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe dikasterin përkatës qeveritar ministrinë e FSK-së. Aktualisht nuk dihet se cila do të jetë përbërja, potenciali dhe skema e funksionimit të forcës ushtarake e të Kosovës e para së gjithash koha e operacionalizmit të saj.