Lajme Shqip Thursday, 28 April 2011 13:58

Prishtinë – Mbrojtja e pronës intelektuale përmes mekanizmave ligjorë dhe institucionalë do të jetë prioritet i Qeverisë së Kosovës, në kuadër të politikave të saj zhvillimore 2011- 2014.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Zyrën e Komisionit Evropian në Kosovë, kanë organizuar konferencën informuese me temën “Mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale”.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka theksuar se aktiviteti i ministrisë në këtë sferë do të jetë i orientuar në përmirësimin infrastrukturës ligjore, ngritjen e kapaciteteve prodhuese dhe integrimin në strukturat ndërkombëtare të pronës industriale.

Ajo ka premtuar se në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës ligjore, MTI do të hartojë tri ligje të reja, atë të markës tregtare, patentës dhe dizajnit industrial.

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi nga ana e tij ka vlerësuar se prona konsiderohet si e shenjtë dhe përfaqëson një çështje shumë të ndjeshme për pronarin.

Ai shtoi se në kuadër të përpjekjeve për të ruajtur shpikjet e personave të caktuar, MKRS gjatë këtyre ditëve pritet që të përfundojë ndryshimin e Ligjit për të drejtat e autorit, i cili pritet që të kalojë në Qeveri.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Komisionit Evropian, Khaldun Sino theksoi se ndërmarrjet të cilat dëshirojnë të bëhen konkurruese në treg, përpos që të krijojnë, duhet edhe t’i mbrojnë prodhimet e tyre.

“Mbrojtja e pronësisë intelektuale është duke u bërë shumë me rëndësi. Inovacionet teknologjike dhe shpikjet janë çelësi i suksesit të bizneseve në treg. Ndërmarrjet që dëshirojnë të mbeten apo të bëhen konkurruese natyrisht se duhet të shpikin dhe të mbrojnë shpikjet e tyre. Qëllimi kryesor i sistemit është që të ofrojë stimulime për krijim dhe për shpikje, dhe kjo është me rëndësi gjithashtu edhe për Kosovën, duke dhënë të drejtat ekskluzive për produktet që janë në mendjet e njeriut, për vizatimet, fotografitë, dizajnet apo librat nga të cilat përfiton gjithë shoqëria”, ka thënë Sino.

Neni 65 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës rregullon procedurat për veprim nga Dogana për mallrat, të cilat janë të dyshimta dhe për të drejtat e pronësisë intelektuale.