Lajme Shqip Monday, 23 May 2011 09:24

Peqin – Një aksident me pasojë plagosjen e gjashtë shtetasve ndodhi rreth orës 21.30 të ditës së diele, në aksin rrugor Elbasan- Peqin, te vendin e quajtur “Kryqëzimi i Gjocajve”.

Burime të Policisë lokale bënë të ditur se “një mjet tip “Benz”, me targë PE 1587 A, me drejtues shtetasin Grejsi Tabaku, është përplasur me një mjet tip fuoristradë “Mitsubishi”, me targë DR 7242 D, me drejtues shtetasin Durim Hasa.

Si pasojë e përplasjes së dy mjeteve, kanë mbetur të dëmtuar dy drejtuesit e mjeteve, si edhe një pasagjer në mjetin tip Benz dhe bashkëshortja me dy fëmijët e drejtuesit të mjetit tip fuoristradë.

Këta të fundit janë transportuar menjëherë në spitalin kirurgjik të Elbasanit.

Paraprakisht mjekët deklarojnë se më rëndë paraqitet gjendja shëndetësore e dy drejtuesve të mjeteve, të cilët u nisën për në Spitalin Ushtarak të Tiranës për një mjekim më të specializuar.

Ndërsa mësohet se katër të aksidentuarit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën.

Në vendin ku ndodhi aksidenti ka shkuar grupi hetimor, i cili ka konkluduar se shkak për këtë aksident ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara nga ana e mjeteve.