Lajme Shqip Monday, 08 October 2012 09:13

Prishtinë – Pensionistët kosovarë kanë vendosur të mos presin më institucionet e vendit që të zgjidhin çështjen e kthimit të pensioneve të grabitura nga Serbia. Ata po presin vetëm miratimin e Ligjit për pensionet në Kosovë dhe më pastaj të nisin lëndën për në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Zyrtarë, përgjegjës të institucioneve të vendit nuk presin që kjo situatë të gjejë një zgjidhje të drejtë.

Kthimi i pensioneve që Serbia i grabiti kur u tërhoq nga Kosova vazhdon të mbetet sfidë e pazgjidhur. E vetmja mënyrë për t’i marrë ato ka mbetur udhëtimi në mënyrë individuale i pensionistëve për në shtetin fqinj.

Megjithëse një gjë e tillë edhe sot vazhdon të funksionojë, një zgjidhje e kësaj situate përmes rrugëve institucionale duket të jetë shumë pak e realizueshme. Pensionistët kanë nisur punën për përgatitjen e kërkesës, të cilën synojnë t’ia dërgojnë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Kryetari i Partisë së Pensionistëve, Sahit Dragaj thotë se një plan të tillë e ka përforcuar vendimi pozitiv i dhënë nga gjykata për një çift boshnjak rreth së drejtës së marrjes së pensionit të grabitur nga Serbia.

Mirëpo, ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq shuan shpresat e pensionistëve për një zgjidhje në mënyrë institucionale. Çështja e pensioneve ka qenë në agjendë të bisedimeve teknike të zhvilluara mes Kosovës e Serbisë, mirëpo asnjëherë nuk është vënë në tavolinë. Megjithëse nuk ka një shifër të saktë të parave që ka pasur fondi i pensioneve, llogaritet se ka mundur t’i kalojë miliona euro.(LajmeShqip.com)