Lajme Shqip Saturday, 18 August 2012 08:41

Tiranë – Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu paralajmëron se bllokimi i kontrollit parlamentar nga Ministria e Mbrojtjes mund të kthehet në një rrezik serioz për shoqërinë. Për më tepër ai nënvizon se interpretimi sipas dëshirës dhe momentit të ligjit apo të Kushtetutës mund të sjellë dhe pasoja të pakëndshme, duke hequr një paralele me Gjermaninë e para vitit 1933, kur duke shfrytëzuar një klauzolë të diskutueshme të Kushtetutës së Gjermanisë së asaj kohe, Adolf Hitleri që shkaktoi dhe luftën e dytë Botërore erdhi në pushtet.

Në një deklaratë për mediat, Moisiu që për shkak të postit të kreut të shtetit ka mbajtur edhe detyrën e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë për 5 vite me radhë, thotë se pengimi i mbikëqyrjes parlamentare nga një ministër nuk ndodh në shtete normale. “Kjo është shumë alarmuese. Pse? Jo vetëm sepse nuk po merret vesh asgjë se çfarë po bëhet në Ministrinë e Mbrojtjes, ka shumë të dhëna por asgjë konkrete nuk dimë, kjo është një shkelje e rëndë e demokracisë. Ushtria nuk mund të jetë jashtë kontrollit parlamentar”, ka qënë deklarata e djeshme e ish-Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu në lidhje me hezitimin e ministrit Imami për të lejuar deputetët e komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese të kontrollit parlamentar mbi veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes, pa prekur dhe cënuar elementët sekretë që përmban kjo ministri.

Duke komentuar frymën e përgjigjeve refuzuese të Ministit Imami për të bllokuar kontrollin, ish-kreu i shtetit paralelizon se duke interpretuar subjektivisht ligjin edhe në Gjermani erdhën në pushtet nazistët. “Edhe Kushtetuta e Republikës së Vajmarit që ishte në Gjermani para vitit 1933 ishte nga më të përparuarat në kohën e vet. Por ajo solli në fuqi Hitlerin, pavarësisht se në rrugë paqësore, por kjo Kushtetutë i hapi shtigje”, ka qënë deklarata e Moisiut. Ish-kreu i shtetit shprehet me shqetësim edhe për nxjerrjen në shitje të gjithë pronave të ushtrisë, sipas tij pa asnjë transparence. “Koloneli rus i tha gjeneralit të tij: Gjeneral do ta kërkojmë këtë bazë(Pashalimanin) si çifutët nëpër shkretëtirë dhe nuk kemi për ta gjetur. Pra edhe këto pasuri kombëtare, që i ka pasur ushtria, sigurisht që mund të kenë qënë shumë dhe mbase nuk duhen, por ama duhet që gjithçka të jetë me transparencë të plotë. Sigurisht këtu me duket se nuk ka mendim ushtarak, por ka mendim më shumë biznesi”, ka nënvizuar ish-kreu i shtetit, Moisiu.

 Debati për kontrollin parlamentar të Ministrisë së Mbrojtjes ka kohë që ka shpërthyer dhe kanë qënë deputetët socialistë iniciatorët e kësaj lëvizjeje. Ndoshta dhe referuar lajmeve se Shërbimi Informativ i Ushtrisë ka përgjuar opozitën dhe ambasadorët, akuzë kjo e artikuluar jo vetëm nga deputetët e opozitës por dhe nga vetë lideri i PS, Edi Rama. Ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes ka refuzuar një grup prej tre deputetësh të Partisë Socialiste që kërkonin të ushtronin një kontroll pranë këtij dikasteri, pas dorëheqjes së kreut të SHIU-t, Ylli Zyla, si pasojë e denoncimeve për tregti armësh. Ministri Imami ka pranuar të takohet vetëm me deputetin Ilir Gjoni por ai nuk ka pranuar kontroll, duke e cilësuar këtë si puç kushtetues. Pas refuzimit të Ministrit të Mbrojtjes Imami për tu takuar me deputetët socialistë, Komisioni i Sigurisë mbajti më 6 Korrik një seancë dëgjimore me ministrin.

Duke u përgjigjur ndaj kërkesave të PS për kontroll në Ministri, Imami tha se çështja e kontrollit s’është çështje e Ministrisë, por e Kuvendit duke shtuar se “s’do lejoj shkeljen e limiteve të kontrollit parlamentar pasi është një precedent i keq. Parlamenti duhet të dijë ku është limiti i kompetencave të veta”. Sipas ministrit, për të ushtruar këtë funksion kontrollues duhet të ngrihet një komision që më parë duhet të betohet për ruajtjen e sekretit, pasi “as ministri nuk i di të gjitha, ky komision le të dijë më shumë por të ngrihet në mënyrë të ligjshme”. Deklaratë që quajtur refuzim nga PS. (Shqiptarja)