Lajme Shqip Friday, 20 April 2012 15:30

Tiranë – Petrit Plloçi, anëtar i Gjykatës Kushtetuese ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbante prej vitit 2001.

Sipas burimeve pranë Gjykatës, Plloçi ka paraqitur shkresën e dorëheqjes rreth orës 10.00 në zyrën e kreut të GJK, Bashkim Dedja. Sipas shkresës zyrtare, ish anëtari i Gjykatës Kushtetuese shprehet kundër zgjatjes së mandatit të tij, të cilin ai e cilëson si të pajustifikuar.

“Anëtari i Gjykatës Kushtetuese mund të qëndrojë në detyrë deri në zëvendësimin e tij. Por, mandati nuk mund të zgjatet kaq shumë dhe në mënyrë kaq substanciale. Kjo bie ndesh me vetë kushtetutën që e parashikon mandatin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese 9 vjeçar”, shkruan Plloçi në letrën e tij.

Pak ditë më parë, kjo Gjykatë rrëzoi me shumicë votash kërkesën e presidentit të republikës, sipas të cilit, bllokimi i dekreteve nga presidenti ishte kundër Kushtetutës.
Sipas mazhorancës, për të respektuar rotacionin e anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, emërimet e reja duhet të bëhen në vitin 2013. Dhe Petrit Plloçi ka qenë një prej gjyqtarëve që u shprehën kundër vendimit.

Petrit Plloçi është emëruar në krey të Gjykatës Kushtetuese në fund të vitit 2001 dhe mandati i tij ka mbaruar më shumë se një vit më parë.

Gjykata do të shpallë vendin bosh dhe Presidenti dhe Kuvendi do të ndërmarrin procedurën për emërimin e anëtarit të ri.Presidenti Topi i ka dekretuar tre emra, të cilët Kuvendi nuk pranoi t’i shqyrtojë dhe çështja shkoi në Gjykatë Kushtetuese. (G.Sh)