Lajme Shqip Friday, 03 February 2012 19:22

Peja ka shpallur gjendje ta jashtëzakonshme pas reshjeve më të reja të dëborës që kanë përfshirë këtë komunë perëndimore të Kosovës, si edhe gjithë vendin, prej mbrëmë.

Dëbora e re në Pejë ka kaluar 60 cm trashësi dhe po vazhdon të bie parreshtur, derisa pesë kompani janë angazhuar për pastrim, e pritet të angazhohen edhe dy të tjera.

Lëvizja është vështirësuar si për automjete ashtu edhe për këmbësorë.

Kryetari i Komunës së Pejës, Ali Berisha ka formuar një shtab emergjent dhe ka dalë të përcjellë situatën nga afër, ndërsa ka ftuar qytetarët të jenë mobilë dhe të ndihmojnë në pastrimin e dëborës, secili nëpër lagjet e veta.

Sipas njoftimeve më të fundit të burimeve zyrtare në Pejë, rruga në drejtim të Rugovës është mbyllur në kilometrin e 9-të, nga një ortek i madh dëbore, përderisa rruga drejt Malit të Zi -Rozhajës mbetet e hapur vetëm për qarkullim të automjeteve të vogla.

Ndër zhvillimet e ditës së sotme me dëborë ishte edhe dalja e aktivistave të Lëvizjes Vetëvendosje me ski rrugëve të Prishtinës, në sheshin përpara NEËBORN-it,  për të treguar gjendjen e rrugëve të kryeqytetit. Sipas tyre, mospastrimi i borës kolapsoi rrugët dhe jetën e qytetarëve të Prishtinës.