Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 13:31

Tetovë – Kryetari i degës së PDSH në Tetovë, Luan Tresi ka alarmuar të hënën opinionin shqiptar për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) si dhe përfaqësimit të tyre nëpër postet udhëheqëse në këtë dikaster. Sipas tij, vetëm zëvendësministri në ministrinë e lartpërmendur është shqiptar, ndërsa ministri, sekretari shtetëror, drejtorët e dy drejtorive kryesore, udhëheqësit e katër sektorëve dhe njësive janë të përkatësisë maqedonase. “Asnjëra prej drejtorive, as ajo e Drejtorisë për Siguri Publike dhe as ajo për Zbulim dhe Kundërzbulim nuk udhëhiqen nga shqiptarë. Po ashtu udhëheqësi i sektorit për informim, i sektorit për kontroll të brendshëm dhe standarde profesionale, i sektorit për çështje juridike dhe menaxhim me resurset njerëzore dhe i sektorit për marrëdhënie ndërkombëtare janë maqedonas. Edhe udhëheqësit e të gjitha njësive janë maqedonas”, ka thënë Tresi. PDSH, madje ka prezantuar edhe skemën e pjesës së kësaj ministrie që mbulon rajonin e Tetovës dhe Gostivarit, ku mes të tjerash u theksua që udhëheqësi i Krim-Policisë për Tetovë dhe Gostivar është maqedonas, komandanti i stacionit policor në Kodrën e Diellit njëjtë është maqedonas, komandanti në stacionin policor në Jegunoc – maqedonas, komandanti i policisë rrugore po ashtu maqedonas, udhëheqësi në repartin e krimit ekonomik- maqedonas… “Udhëheqësi në departamentin për tregti të palejuar me drogë dhe armë, udhëheqësi i sektorit për krim të organizuar, udhëheqësi për automjetet pa leje, udhëheqësi i shërbimit të kujdestarisë, udhëheqësi për punët juridike, komandanti i kalimit kufitar Jazhincë, udhëheqësi i zyrës për pasaporta, zëdhënësi i SPB, Tetovë dhe Gostivar e deri te magacioneri kryesor, të gjithë janë maqedonas. Pra, shumë qartë shihet se sa të përfshirë janë shqiptarët në këtë dikaster. Shqiptarët përpos që janë figura dhe argatë, ata nuk udhëheqin me asnjë sektor të rëndësishëm. Në qoftë se në Tetovë dhe Gostivar shqiptarët nuk udhëheqin, atëherë çka pritet në qytetet tjera siç janë Shkupi, Kumanova, Manastiri, Struga, Dibra dhe Kërçova, ku policëve shqiptarë, madje edhe u pamundësohet përdorimi i gjuhës shqipe”, ka akuzuar Luan Tresi.