Lajme Shqip Sunday, 27 March 2011 11:51

Tetovë – Kryesia qendrore e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), pas tre orësh debat në selinë e partisë në Tetovë, nuk ka marrë ndonjë vendim të prerë për kthimin në Parlament, por i është dhënë kjo e drejtë vetë kryetarit Menduh Tha[i që të vendos.

“Kryesia qendrore mori vendim unanimisht që vetë kryetari Thaçi të vendosë për kthimin në Parlament, ditëve në vijim”, ka thënë përfaqësuesi i PDSH-së Imer Aliu.

Disa orë para mbajtjes së takimit kryesisë qendrore, vetë Thaçi paralajmëroi se deputetët e PDSH-së së shpejti do të kthehen në Parlament.

Arsyet se përse PDSH ka vendosur të kthehet në Parlamentin e Maqedonisë janë që sa më shpejtë të shkohet në zgjedhje pasi që Parlamenti është jolegjitim dhe jo funksional.

“Ne jemi për zgjedhje të parakohshme dhe jemi të gatshëm, dhe mendoj se kjo është mënyra më demokratike për të dalë prej krize shteti. S’ka problem kur të jenë menjëherë tash, jo që i konvenon PDSH-së por kriza në disa dimensione është duke ec përpara dhe dëmet mundë të jenë shumë të mëdha”, ka thënë i pari i PDSH-së Menduh Thaçi.

“E dyta, kjo qeveri nuk është legjitime dhe në vitin 2008 kishte rezultate të vjedhura, ndaj PDSH-së. E treta, ta ndërpresim këtë cirk, këto sjellje qesharake që po ndodhin dy-tre muajt e fundit dhe të dëshmojmë se ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje. Pra, presim që të bie kjo qeveri dhe nëse nuk ndodhë kjo, nuk do të ndodhë asgjë e reëndësishme“, ka thënë Thaçi.

PDSH nuk merr pjesë në punimet e Parlamentit pothuajse dy vjet, ndërsa si arsye për daljen nga Parlamenti e arsyetoi me sjelljen injoruese ndaj propozimeve të tyre politike, mes të cilëve edhe ai për aplikimin autetnik të ligjit të amnistisë. Ndryshe, në takimin e të shtunën mbrëma, Luan Tresi, është zgjedhur kryetari i ri i Degës së PDSH-së për Tetovën, dhe ndryshimet e tilla në këtë degë vijnë pas zgjedhjes së kryetarit të deritanishëm, Metin Izeti për sekretar partie. (Lajmeshqip.com)