Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 13:41

Shkup – Edhe në seancën e së premtes të Parlamentit të Maqedonisë nuk është miratuar Kodi zgjedhor, me çka është bërë edhe zhvendosja e saj nga rendi i ditës. Koordinatori i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Imer Aliu këtë e ka quajtur joseriozitet të shumicës parlamentare.

“Kjo që po ndodhë është joseriozitet i skajshëm i kësaj shumice parlamentare. E mira e gjithë kësaj është që këtij joserioziteti po i vjen fundi. Është çështja e fundit me të cilën tallet kjo shumicë parlamentare”, ka thënë Aliu.

Sipas tij gabim ka qenë mendimi se kjo qeveri ka problem me caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi që e njëjta ka blerë kohë për të manipuluar zgjedhjet.

“Ne të gjithë kemi menduar se kanë problem me caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por në fakt kanë blerë kohë për të manipuluar zgjedhjet që do mbahen shumë shpejt”, ka shtuar Aliu.

PDSH edhe njëherë i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar  që të angazhohet në dhënien fund të jo seriozitetit që tregon kjo shumicë parlamentare.

“Apelojmë te bashkësia ndërkombëtare që të reagojë ndaj këtij jo serioziteti dhe përfundimisht t’i vjen fundi funksionimit të kësaj shumice parlamentare e cila kemi theksuar edhe më herët se është jo legjitime, jo funksional dhe Parlament më anti shqiptar në 20 vjetët e fundit”, ka thënë deputeti opozitar, Imer Aliu.

Megjithatë PDSH do të merr pjesë në seancën ku në rend dite do të jetë Kodi Zgjedhor, por për të diskutuar e jo, edhe për ta votuar të njëjtin.

“PDSH, do pres edhe disa ditë që të vijnë në rend dite Kodi Zgjedhor, ne do të diskutojmë, por nuk do të marrim pjesë në votim. Pasi që këto ndryshime dhe plotësime nuk janë propozimet tona, ne nuk jemi konsultuar për këto propozime. Do presim ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor ku do të përfshihen sipas të gjitha gjasave edhe kërkesat tona që kanë të bëjnë me ridefinimin e kufijve të njësisë zgjedhore”, thekson Aliu.

I pyetur se në rast se do ketë manipulime të zgjedhjeve nga ana e pushtetit a do të kontestohet rezultati zgjedhor, Aliu me përgjigje se përgjegjësinë për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike e ka pushteti.

“Përgjegjësia për zgjedhjet 99 për qind është e pushtetit, kjo që ndodhë kohëve të fundit dhe paralajmërimet se ajo që do të ndodhë flet se do të ketë manipulim të zgjedhjeve”, është përgjigjur Aliu.

Burime partiake brenda partisë së Ahmetit thonë se deri në fundjavën e ardhshme parlamenti do të shpërbëhet.

“Deri më 8 prill parlamenti duhet të shpërbëhet. Ne do punojmë edhe gjatë ditës së shtunë të kësaj jave me qëllim që t’i miratojmë disa ligje që kanë të bëjnë me administratën e që janë në dobi të qytetarëve. Javën që vjen do shpërbëhet parlamenti”, kanë thënë në BDI.

Partia tjetër opozitare shqiptare e përfaqësuar në parlament Demokracia e Re (DR), kanë paralajmëruar se do të marrinë pjesë në seancën plenare të Parlamentit ku në rend dite do të jetë shpërbërja e parlamentit.