Lajme Shqip Monday, 26 August 2013 12:06

Prishtinë – Partia Demokratike e Kosovës duket se e ka gjetur formulën për ta mbajtur Prizrenin. Partia në pushtet pritet që për t`i bindur prizrenasit që t’ia japin votën, ta përdorë hiq më pak se kryeministrin e Turqisë Rexhep Tayip Erdogan.

Burime diplomatike i kanë thënë gazetës “Tribuna” se planifikohet që gjatë tetorit kur veç të ketë nisur fushata elektorale për zgjedhjet lokale në Kosovë, vendin ta vizitojë kryeministri turk.

Të njëjtat burime kanë shpjeguar se arsyeja primare e vizitës do të jetë përurimi i punimeve në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës “Adem Jashari” të cilat janë bërë nga kompania turke “Limak” që e ka koncesionuar aeroportin.

Por, mysafirit të fuqishëm nga Bosfori, sipas të njëjtave burime do t`i dalë punë edhe deri në jug të Kosovës. Ai do të qëndrojë në Prizren, qytetin e dytë për kah madhësia në Kosovë që aktualisht qeveriset nga PDK-ja. Partia e kryeministrit Thaçi nuk paramendon ta lëshojë në asnjë formë qeverisjen ne Prizren as pas zgjedhjeve të ardhshme të tre nëntorit.