Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 07:43

Prishtinë – PDK, LDK dhe AKR, bashkë. Atifete Jahjaga, Zv/drejtoreshë e Policisë së Kosovës, u nominua kandidate për President. I pari i vendit, herën tjetër zgjedhet direkt me votën e qytetarit. Zgjedhjet tjera, 18 muaj pas ndryshimit të ligjit zgjedhor. Chris Dell luajti rolin e tij.

Kryetari i PDK-së, njëherësh edhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, në një konferencë shtypi mbrëmë vonë, njoftoi për marrëveshjen me LDK-në e AKR-në për nominimin e Atifete Jahjagës për presidente e Kosovës, duke i dhënë fund ngërçit politik në vend dhe përshpejtimit të reformave evropianizuese.

“Ne tre liderët t tri partive tona, të AKR-së, LDK-së dhe PDK-së, kemi arritur një marrëveshje për Kosovën e reformave, për Kosovën evropiane. Ajo që dje dukej e paarritshme, sot ne e kemi arritur, prandaj falënderoj për mirëkuptimin, durimin, fleksibilitetin dhe mbi të gjitha secili kemi dalë mbi interesat partiake për t’i kontribuar interesit të përgjithshëm, pra interesit të vendit”, theksoi Thaçi.

Në memorandumin e lexuar nga Thaçi theksohet se “ne udhëheqësit e AKR-së, LDK-së dhe PDK-së nominojmë Atifete Jahjagën, si kandidate tonë për Presidente të Kosovës dhe shprehim përkrahjen e plotë të partive tona respektive për kandidaturën e saj”.

Thaçi bëri të ditur se është rënë dakord që të formohet menjëherë një komision për reformën e zgjedhjeve presidenciale, i cili do të hartojë amendamentet e nevojshme kushtetuese dhe çfarëdo legjislacioni të ndërlidhur të nevojshëm për të amenduar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në mënyrë që presidenti të zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli.

Komisioni do të synojë të përfundojë punën e vet brenda 6 deri në 9 muaj nga data e krijimit të tij.

Thaçi bëri të ditur se zgjedhjet e para presidenciale në Republikën e Kosovës do të mbahen jo më vonë se 6 muaj nga data në të cilën ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe legjislative hyjnë në fuqi.

Gjithashtu, ai tha se është rënë dakord që menjëherë të formohet një komision për reformën e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, i cili, mes dispozitave të tjera, do të përkrahë krijimin e më shumë distrikteve zgjedhore në Kosovë dhe do të hartojë ndryshimet e nevojshme legjislative dhe kushtetuese për të arritur këtë qëllim. Komisioni do të synojë të përfundojë punën brenda 8 deri në 12 muajsh nga data e themelimit të tij.

Tri partitë nënshkruese të memorandumit kanë rënë dakord, gjithashtu, që zgjedhjet e para të përgjithshme, sipas ligjit të amenduar do të mbahen jo më vonë se 18 muaj nga data në të cilën ligji i reformuar për zgjedhjet e përgjithshme dhe amendamentet e ndërlidhura kushtetuese hyjnë në fuqi.

Thaçi falënderoi Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Dell, për krijimin e hapësirës së nevojshme dhe të përshtatshme për arritjen e kësaj marrëveshjeje që i jep fund ngërçit politik në vend.