Lajme Shqip Thursday, 02 February 2012 16:24

Prishtinë- Në seancën e Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi i është kundërpërgjigjur deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, në pyetjet që ai ditë më parë ia ka drejtuar liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti për korrespondencën me vajzën e një ish-ministri të Sllobodan Millosheviçit dhe për takime të fshehta me serbë. Selimi akuzoi SHIK-un e shuar në vitin 2008, se po vazhdon ta mbajë nën presion opinionin publik.

“Mjaft me këto shantazhe e me këto presione ndaj opinionit. Nëse mendoni se mund t’i bëni dikujt presione e shantazhe me afatizime e keni gabim. Nëse doni t’i frikësoni të tjerët me  presione prapë e keni gabim. S’ua ka frikën askush më. Por nëse doni të mbani pushtetin e ta ndërroni me njëri-tjetrin postin e kryeministrit, prapë e keni gabim. Tashmë është tepër vonë për ju”-tha ai.

 Në anën tjetër, pas seancës, edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, e quajti shantazh paraqitjen e deputetit Selimi në foltoren e Kuvendit lidhur me këtë çështje, përderisa për deputetin Haxhiu, tha se ka qenë shumë i qartë.

Deputeti Haxhiu i ka dhënë tashmë një afat Kurtit, dhe ai sipas tij duhet të përgjigjet edhe gjashtë ditë, për sic thotë rreth kontakteve që Kurti ka pasur me serbë.