Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 16:50

Prishtinë – Edhe pse Gjykata Kushtetuese konstatoi se braktisja e seancës gjatë votimit për president është në kundërshtim me Kushtetutën, deputetët e opozitës nuk e shohin veprimin si të tillë.

Ata, madje, nuk e bëjnë të qartë nëse do të jenë të pranishëm në votimin e ardhshëm për president. Eksperët, ndërkaq, theksojnë obligimin e opozitës për pjesëmarrje në vendime kaq të rëndësishme.

Partitë opozitare ende nuk deklarohen qartë nëse do të marrin pjesë në seancën kur do të votohet presidenti i vendit, pasi Gjykata Kushtetuese e ka shpallur jokushtetues braktisjen e sallës nga deputetët e opozitës me 22 mars.

Partia Demokratike e Kosovës, përmes deputetit Berat Buzhala, iu tha deputetëve të opozitës se do të përballen me Gjykatën Kushtetuese nëse edhe njëherë e braktisin seancën kur votohet presidenti.

Por shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, thotë se vednimi i Gjykatës është lexuar gabimisht nga pozita.

Deputetët e partise tjetër opozitare, AAK, nuk e kanë bërë të qartë nëse do të jenë të pranishëm në sallë kur do të votohet për presidentin.

Për Visar Ymerin, nga Lëvizja Vetëvendosje, braktisja e seancës ka qenë vetëm një veprim politik.