Lajme Shqip Saturday, 13 August 2011 18:05

Tiranë – PDIU përshëndeti sot 10-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit duke e konsideruar këtë akt, si modeli në të cilin duhet të bazohet struktura e shtetit maqedonas, për të siguruar të drejtat minimale të shqiptarëve.

Nëpërmjet një deklarate për mediat, PDIU shprehet se, “Marrëveshja e Ohrit është guri i themelit i një shteti multietnik me kohezion shtetëror, siç duhet të jetë Maqedonia. Sot, ne përkujtojmë të gjitha viktimat e luftës së vitit 2001, të cilët me gjakun e derdhur arritën në realizimin e kësaj marrëveshjeje”.

Duke theksuar se 10 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes, ajo nuk është zbatuar tërësisht, PDIU vëren se “zyrtarizimi i gjuhës shqipe, përdorimi i flamurit kombëtar, statusi i veteranëve të luftës dhe çështje të tjera të detajuara në marrëveshje, ende nuk kanë gjetur rrugën e zgjidhjes, siç dëshiron kombi shqiptar”.

Për këtë forcë politike, zbatimi tërësor i Marrëveshjes së Ohrit përbën vetëm hapin e parë në të vetmin shteg për konsolidimin e shtetit multietnik të Maqedonisë dhe realizimi i tij tashmë duhet të ishte një fakt i kryer, për të arritur në hapat e mëtejshme të konsolidimit të shqiptarëve në këtë shtet e më gjerë në rajon.

“Në këtë 10-vjetor, PDIU i bën thirrje të gjithë klasës politike shqiptare në Maqedoni, që të kenë një qëndrim të palëkundur e të përbashkët kur vjen fjala te çështja kombëtare deri në realizimin e të gjitha të drejtave të shqiptarëve në këtë shtet, si një parakusht i domosdoshëm për integrimin e Maqedonisë në BE”, përfundon deklaratën për shtyp, PDIU.