Lajme Shqip Tuesday, 22 November 2011 15:30

Tiranë – Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet mbështet protestën e shoqatave arsimtare shqiptare në Maqedoni për deformimin e historisë së kombit shqiptar.

Nëpërmjet një deklarate për mediat, PDIU shpreh vlerësimin se shtetet multietnike si Maqedonia duhet të respektojnë në tërësi historinë e kombeve përbërëse të tyre duke theksuar se “historia e kombit shqiptar është një histori mijëravjeçare e lavdishme dhe nuk mund të përfundohet nga asnjë komb i ri i gadishullit ballkanik”.

“Sot, në 103 vjetorin e vendosjes përfundimtare të alfabetit shqip, ku u vendos në vija të themelta drejtimi perëndimor i shqiptarëve, fryma ballkanike bizantino-osmane nuk ka më vend. Sot, të gjithë kombet e gadishullit tonë duhet të pranojnë që të tregojnë të vërtetën historike pa ngjyrime politike a shoviniste. Kombi shqiptar nuk ka frikë nga e vërteta”, thuhet në deklaratën për shtyp.

PDIU vlerëson se shteti shqiptar, në bashkëpunim me të gjitha shtetet e tjera ballkanike duhet të krijojnë hapësirat e nevojshme në mënyrë që historia të mësohet ashtu siç është, në bazë të fakteve, dhe jo në bazë të emocioneve, të cilat janë shpesh herë negative dhe shoviniste kundër kombit tonë. Në veçanti për Maqedoninë, nevoja e një harmonie ndëretnike është ekzistenciale.