Lajme Shqip Wednesday, 31 August 2011 16:39

Korçë – Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) denoncoi sot thirrjet provokative të organizatës OMONIA në Korçë që vllehët të deklarohen si grekë.

Në një deklaratë për shtyp të PDIU-së, thuhet se “vllehët e Korçës kanë qenë baza kryesore e Rilindjes Kombëtare në Jugun e vendit në shekullin e 19-të dhe ata mbeten dhe sot krenarë për shqiptarësinë e tyre”.

Por, sipas PDIU-së, “këto deklarime plotësojnë elementë e veprës penale, ndaj i bëjnë thirrje organeve kompetente që të fillojnë ndjekjen penale ndaj autorëve të thirrjes”.

“Me këtë akt, thirrësit tregojnë se janë pjesë e një plani ndikimi nga jashtë në procesin e regjistrimit të popullsisë, plan që u bë publik me deklarimet provokative, jashtë statusit diplomatik, të konsullit grek në Korçë, Ikonomu”, thuhet në deklaratë.

Sipas PDIU, “kjo tregon se procesi i regjistrimit në Shqipëri po shantazhohet nga segmente të caktuara të shtetit grek dhe të shiturit e tyre në vendin tonë”.

“Ne duam t’i bëjmë të qartë këtyre shantazhuesve, brenda dhe jashtë, se Shqipëria e sotme nuk është Shqipëria e fillimit të tranzicionit që mund të ketë frikë, që mund të blihet me viza, apo me pensione. Fqinjët le të mendojnë të zgjidhin krizat e tyre, pa guxuar të merren me punët tona”, përfundon deklarata e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.