Lajme Shqip Sunday, 07 August 2011 18:33

Tiranë – Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dënoi sot me anë të deklarate, ngritjen e një busti të të ndjerit Aristotel Guma në Himarë, të cilin e quajti “provokimin e disa qarqeve”.

PDIU kërkon që të mos manipulohet me viktimat dhe që të respektohet kujtimi i të ndjerit Guma. “Në këndvështrimin tonë ky është një akt manipulativ që tenton të manipulojë negativisht ndjenjat e minoritetit dhe të shqiptarëve”, thuhet në deklaratë.

Sipas PDIU, “në asnjë rrethanë, ky provokim nuk i shërben bashkëekzistencës së një vendi evropian. Ky veprim është i paligjshëm dhe sfidues, pasi Këshilli Bashkiak i Himarës e ka refuzuar ngritjen e një busti të tillë”, vijon deklarata e PDIU, e cila i bën thirrje shtetit shqiptar të veprojë për të dekurajuar ata që duan të kthejnë një fatkeqësi me të cilën po merret drejtësi, në një akt atavist e shovinist e që nxit tensione të panevojshme në mes të sezonit turistik.