Lajme Shqip Sunday, 28 October 2012 11:02

Këlcyrë – Shënohen incidente në Këlcyrë ku grekët mbajnë homazhet për ushtarët e rënë në Luftën e Dytë Botërore, e që ata pretendojnë se janë të varrosur në varrezën e Kosinës.

Sipas njoftimeve paraprake, mësohet se është qëlluar me gurë makina e ambasadorit grek, por ky i fundit nuk ka pësuar lëndime. Forca të shumta policie kanë ndaluar aktivistët e Aleancës Kuqezi që t’i afrohen varrezave ku pala greke zhvillon homazhet.

Mësohet se katër autobusë kanë ardhur nga  Greqia për këto homazhe dhe janë kryesisht të afërm të ushtarëve të vrarë, ndërsa nuk raportohet për aktivitet të neonazistëve të Agimit të Artë.

Ishte lajmëruar se në ceremonitë që do zhvilloheshin në Këlcyrë të Përmetit do merrnin pjesë edhe aktivistët ekstremistë grekë për të përkujtuar ushtarët grekë të rënë në luftën italo-grekë.

Disa dhjetëra mbështetës të Aleancës Kuqezi u grumbulluan të shtunën për disa orë në Urën e Dragotit për të protestuar ndaj “marshimit të fashistëve grekë”, siç i etiketuan ata drejt territorit shqiptar, përfaqesuesit e ekstremit të djathtë grek “Agimi i Artë”.

Dita e “jo”-së që Greqia i ktheu Italisë gjatë Luftës së Dytë Botërore e që pasoi me luftën mes dy vendeve, por që u zhvillua në kufirin shqiptaro-grek, përkujtohet me ceremonitë në varrezat e ushtarëve grekë.

Në Këlcyrë është zhvilluar një nga betejat më të mëdha mes ushtarëve grekë dhe italianë dhe në këtë qytezë të vogël të rrethit Përmet nisin ceremonitë përkujtimore që përfundojnë në Bularat, ku ndodhet një varrezë e ushtarëve grekë. (LajmeShqip.com)

*****************************************************

KËLCYRË- Aktivistë të PDIU-së, Aleancës Kuq e Zi dhe lëvizjes Vetëvendosja kanë nisur mëngjesin e sotëm protestat kundër festimeve të shtetit helen në Shqipëri. Në shtetin helen sot shënohet 72 vjetori i fillimit të luftës italo-greke, ditë e cila në Greqi është festë kombëtare dhe nderon të rënët e luftës.

Mëngjesin e sotëm teksa pritej mbërritja e autobusëve grek në tokën shqiptare, për të festuar në memorialin e ushtarëve të rënë, PDIU, AK dhe VV janë tubuar në urën e Dragotit në Këlcyrë në shenjë proteste, por kanë hasur në rezisstencën e policisë.

Në një prononcim për median, përfaqësuesi i PDIU-së Ardit Bido deklaroi se nuk pranojnë që në tokën shqiptare të festohet nga shteti helen ushtria e sëcilës erdhi si pushtuese në vendin tonë.

Dje
Grekët zhvilluan dje sërish homazhe në varrezat e vjetra të Boboshticës. Pas skandalit të betonizimit të varrezave 200-vjeçare në fshatin Boboshticë të Korçës, edhe këtë vit është zhvilluar sërish ceremonia e homazheve në të cilën nderohen edhe dy ushtarë të rënë grekë.

Konsullata greke në Korçë, me diplomatin grek Janis Pedhjosis, përfaqësues të shoqatës “Omonia”, kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, deputetë të Partisë “Demokracia e re” në Greqi dhe qindra qytetarë grekë, të cilët kishin ardhur enkas nga Selaniku dhe Athina me autobusë për të kryer homazhe në memorialin e ngritur në varrezat e vjetra të fshatit Boboshticë. Surprizë e ceremonisë fetare të organizuar në Boboshticë ka qënë edhe shfaqja në publik e ish-kreut të “Omonia”-s Naum Disho. (LajmeShqip.com)