Lajme Shqip Tuesday, 05 July 2011 16:26

Tiranë – Partia Demokratike e cilësoi presion ndaj institucioneve të pavarura deklaratën e sotme të kryesocialistit Edi Rama, i cili apeloi që Kolegji Zgjedhor të vendosë drejtësi për Tiranën.

Në një deklaratë për shtyp, kryesuesja e listës së kandidatëve për këshilltarë në Këshillin Bashkiak të Tiranës Jorida Tabaku, tha se 24 orë para se Kolegji Zgjedhor të japë vendimin në lidhje me kërkesën që ai vetë ka bërë, z.Rama i kërkon gjyqtarëve të vendosin vetëm atë që ai vetë dëshiron.

“Ky presion i radhës ndaj institucioneve të pavarura, është i papranueshëm dhe tregon qartë se është z.Rama që ka mbyllur veshët dhe sytë, duke humbur fillin me realitetin. Ka mbyllur veshët dhe sytë para qytetarëve, të cilët u shprehën me zërin e tyre në zgjedhjet më të ndershme dhe më transparente të bëra ndonjëherë në Shqipëri”, theksoi përfaqësuesja e selisë blu.

Sipas saj, PD ka përshëndetur faktin që në kryeqytet fitoi demokracia, ku, pas një procesi ligjor dhe transparent, u dëgjua zëri i të gjithë qytetarëve dhe u numërua çdo votë.

Tabaku nënvizoi se “në përfundim të këtij procesi, rezultoi se më shumë qytetarë kanë vendosur që z. Lulzim Basha të jetë kryebashkiaku i ardhshëm”, duke shtuar se “në një proces demokratik, janë qytetarët ata që vendosin se kush fiton në zgjedhje dhe jo politikanët dhe axhenda e tyre personale”.

Pak më herët kreu i PS-së, Edi Rama, kërkoi nga Kolegji Zgjedhor që të respektojë kushtetutën dhe standardet në shqyrtimin e ankimimit të socialistëve për tabelat e rezultateve për bashkinë Tiranë.