Lajme Shqip Saturday, 01 February 2014 14:05

Partia Demokratike ka hedhur akuza ndaj qeverisë Rama, lidhur me emërimit në Policinë e Vlorës. Sipas kreu të grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, denoncoi skandalin e emërimit në Policinë e Vlorës të anëtarit të bandës së vitit ’97.  Sipas Palokës lufta kundër drogës në vendin tonë tashmë është lënë në duart e ushtarit të Zanit.

“Sot jemi këtu për të denoncuar një prej skandaleve më të mëdha të kësaj qeverie në këto 4 muaj.  Nëse doni të dini se si rilind Policia e Shtetit me këtë qeveri, shihni kush është emëruar së fundmi specialist i antidrogës në Vlorë.  Ardian Lici, ky emër mund të mos tregojë gjë për publikun masiv. Po për vlonjatët do të thotë shumë, sepse ata ende nuk i kanë harruar kohët e vështira të vitit 1997. Ardian Lici ka qenë një nga ushtarët e Zani Çaushit, dhe kushdo mund të futet në “you-tube” e ta verifikojë këtë që po themi ne.  Ky person me xhupin e zi të lëkurës, që Zani e urdhëron të kontrollojë makinat në urën e Mifolit, në postbllokun që banda e Vlorës ka ngritur, është Ardian  Lici, dhe është vlerësuar nga ministri i Brendshëm, dhe nga drejtuesit e policisë si specialist i përshtatshëm për të luftuar trafiqet e drogës”, tha Paloka, raporton shekulli.

 “Por kjo nuk është hera e parë që ushtari i Zanit shpërblehet nga socialistët.   Mësohet se ai është emëruar në Policinë e Vlorës pas vitit 97, por është   shkarkuar në vitin 2003, sepse gëzhojat e pistoletës që mbante prej detyrës, u   gjetën në një vendngjarje, në një plagosje të rëndë.  Tani, me Edi Ramën, erdhi koha që ushtari i Zanit të rilindë. Dhe rilindi, në radhët e antidrogës së Vlorës. Tashmë nuk ka asgjë për t’u habitur pse sasia e drogës së kapur në vendet fqinje me ne, që vjen nga Shqipëria, është rritur.   Sepse luftën e drogës në vendin tonë, Edi Rama dhe Saimir Tahiri ia kanë besuar ushtarit të Zani Çaushit. Kjo është rilindje e vërtetë”.