Lajme Shqip Saturday, 01 March 2014 18:22

Partia Demokratike akuzoi sot sërish ministrin e Brendshëm Saimir Tahirin si dhe kryeministrin e Shqipërisë në lidhje me situatën e ditëve të fundit. Nëpërmjet një konference për shtyp, deputeti i PD-së, Arben Ristani, tha se vendi ndodhet në një situatë të rënduar kriminale dhe se shteti nuk ekziston në raport me krimin. 

“Tritoli, grabitjet dhe trafiku i drogës sunduan edhe javën që po mbyllim. Jemi në një atmosferë të rënduar kriminale, shteti duket sikur nuk ekziston në raport me krimin”, -u shpreh Ristani. 

Më tej ai akuzoi ministrin Tahiri se po udhëheq në mënyrë të paligjshme policinë kundër shoferëve të furgonëve, ndërkohë që krimi merret në mbrojtje. 

“Policia e udhëhequr, tashmë jo ligjërisht, nga ministri i Brendshëm, tregon gjithë forcën e saj me protestuesit paqësorë të furgonëve që kërcënohen për bukën e gojës nga qeveria, ndërkohë që krimi merret në mbrojtje. Tirana është nën një tronditje të vazhdueshme për shkak të atentateve me tritol që po lënë të vdekur e të gjymtuar. Tirana është nën pasigurinë e grabitjeve, ku vetëm dje kanë rënë pre e maskave të armatosura një koncesionar makinash e një pikë karburanti”, -tha Ristani.

Duke bërë një analizë të ngjarjeve kriminale të ndodhura ditët e fundit në kryeqytet, por jo vetëm, edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë, deputeti demokrat i bëri thirrje kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, që sipas tij, të rikthejnë pavarësinë e Policisë së Shtetit dhe të reflektojnë mbi situatën kriminale në vend. 

“Partia Demokratike, në interes të gjithë shqiptarëve, i bën edhe një herë thirrje kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm të reflektojë për situatën kriminale dhe për pasigurinë që ndjejnë qytetarët e vendit, të rikthejnë pavarësinë e Policisë së Shtetit nga politika, ta dekriminalizojnë atë nga njerëzit e lidhur me krimin dhe të vendosin në krye të detyrës profesionistët. Është koha për një mobilizim të të gjithë faktorëve politikë dhe social kundër krimit”, -deklaroi Ristani.