Lajme Shqip Wednesday, 16 April 2014 12:43

Partia Demokratike vazhdoi serinë e denoncimit të zyrtarëve, që sipas saj këta të fundit zotërojnë poste drejtuese në institucionet vendore.

Zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, gjatë një deklarate për shtyp theksoi se, kryeministri Rama është duke thyer Kodin Etik për 3 emërimet që ka bërë ky i fundit në institucionet vendore.

Deklarata

“Po ju paraqesim sot tri raste se si funksionon meritokracia e kësaj qeveria, kodi etik dhe shanset e barabarta pikërisht në Korçë. 

Drejtor i Metrologjisë është emëruar Muharrem Meko, ish-kryetar i PS-së në Korçë, i dënuar nga gjykata për veprën penale të pengimit të vendimit gjyqësor.

Në krye të kualifikimit profesional është emëruar Anxhela Taho, kryetarja e FRESSH-it, e cila është e përfshirë në hetimet e prokurorisë si organizatorja e blerjes së votave për zgjedhjet lokale në Korçë, e kapur në flagrancë me zë e me figurë.

Drejtor i Shërbimit Pyjor në Korçë është emëruar Arsen Selimi, ndaj të cilit një gjykatë në Amerikë ka vendosur t’i refuzojë qëndrimin atje dhe ta kthejë në Shqipëri me akuzën e dhunës në familje dhe të mashtrimit.

A mund të na thotë Rama se cilin nen të Kodit të Etikës ka zbatuar në këto tre emërime? Në Kodin e Etikës, Rama është angazhuar për transparencë dhe përgjegjshmëri ndaj publikut. 

A mund t’i thotë kryeministri publikut, se cilin nen të kodit ka respektuar ai, në rastet që ne kemi denoncuar e denoncojmë çdo ditë me emërimet e personave me precedent penalë, në zyrat e punës, në CEZ, në sektorët kyç të ministrive, në drejtoritë rajonale, nga Korça, Kavaja, Tropoja e kudo në Shqipëri”.